Aplikacioni i njohur për komunikim, Snapchat, ka rënë nga funksioni në pjesë të ndryshme të botës. Përdoruesit janë ankuar se nuk po mund të dërgojnë apo të pranojnë fotografi.
Sipas faqes “Down Detector”, problemet kanë filluar rreth orës 12 e 50 dhe deri më tani janë paraqitur gati 14.000 ankesa, shkruan Daily Mail, transmeton Gazeta Express.
Raportohet se aplikacioni po funksionon në disa telefona, por përdorues të tjerë po kanë vështirësi që ta hapin llogarinë dhe të dërgojnë fotografi.
Vetë udhëheqësit e aplikacionit e pranuan ekzistencën e këtij problemi, duke shkruar në Twitter: “Jemi të vetëdijshëm se disa përdorues po kanë probleme tash për tash duke e përdorur aplikacionin – mbahuni, po e shikojmë.”
Disa përdorues e shprehën zemërimin e tyre në Twitter. “Të gjithë po turren në Twitter për të parë nëse ka rënë Snapchat-i.”
Eksperti i kibernetikës, Jake Moore, tha se ka pak gjasa që problemet të jenë shkaktuar nga një sulm kibernetik, por paralajmëroi se përdorimi i një sistemi të centralizuar mund të shkaktojë probleme të gjera për rrjetet sociale.