Raportohet se ushtria e Birmanisë dogji 11 persona si hakmarrje

Prishtinë | 09 Dhj 2021 | 09:28 | Nga Ekonomia Online

Trupat qeveritare të Birmanisë bastisën një fshat të vogël në veriperëndim të vendit, duke rrethuar civilë, duke ua lidhur duart e duke i djegur për së gjalli si hakmarrje e qartë për një sulm ndaj një konvoji ushtarak, sipas dëshmitarëve dhe raportimeve tjera.

Një video e publikuar pas sulmit të së martës shfaqi trupa të djegur të 11 viktimave. Besohet se disa prej tyre ishin adoleshentë, shkruan Associated Press, përcjell Gazeta Express.

Organizata “Human Rights Watch” i bëri thirrje të enjten komunitetit ndërkombëtar që të sigurohet që komandantët që e dhanë urdhrin për këtë sulm të tmerrshëm të futen në listën e sanksioneve dhe të shtohen përpjekjet për t’ia ndërprerë burimet e financimit ushtrisë birmane.

“Kontaktet tona po thonë se këta ishin vetëm djem dhe të rinj që ishin fshatarë të kapur në vendin dhe kohën e gabuar”, tha Manny Maung, zëdhënëse e “HRË”-së. Ajo shtoi se incidente të ngjashme kanë ndodhur rregullisht, por ky i fundit u kap nga kamera.

Qeveria e Birmanisë ka mohuar se ka pasur trupa në zonën ku u raportua ngjarja.

Ushtria birmane në shkurt e rrëzoi qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të zonjës Aung San Suu Kyi. Ky veprim u kundërshtua nga popullata civile, fillimisht me protesta të qeta në rrugë.

Videoja përmban skena dhune e kufoma. Nuk preferohet të shikohet nga fëmijët dhe personat e ndjeshëm.

Megjithatë, pasi policia e ushtria u kundërpërgjigjen me forcë vdekjeprurëse, dhuna eskaloi, kur kundërshtarët e qeverisë ushtarake i kapën armët për t’u vetëmbrojtur.

Të ngjashme