Milot Rashica dhe bashkëlojtarët e tij dhe stafi i Werder Bremenit janë futur në një karantinë vullnetare dyditore, pasi një futbollistë ka rezultuar pozitiv me koronavirus. Klubi i Bundesligës gjermane ka njoftuar sot në faqen zyrtare për rastin pozitiv.
Werderi luan kundër Hoffenheimit të dielën në Bundesligë dhe gjithë futbollistët e stafi do të ritestohen nesër.
“Për të pasur më tepër siguri për pjesën tjetër të skuadrës dhe gjithë stafin, gjithë lojtarët, trajnerët dhe stafi do të vetizlohen vullnetarisht në shtëpitë e tyre. Seanca e planifikuar për sot është anuluar”, është njoftuar nga klubi.
Në Gjermani sot janë regjistruar rekord i rasteve të reja me koronavirus. Instituti i Gjermanisë për Sëmundje Infektive (RKI) ka paralajmëruar se shteti duhet të përgatitet për përhapje të pakontrolluar të virusit.
Po ashtu raste me koronavirus janë regjistruar edhe te ekipi i Serie B të Italisë, Reggiana, ku luan Arlind Ajeti.
Janë regjistruar 11 lojtarë me koronavirus dhe pesë anëtarë të stafit. Po ashtu ndeshje me Cittadelan është shtyrë.