Përfaqësuesja e Kosovës është me fat që e ka në gjirin e saj një lojtar si Milot Rashica, shkruan sot, gazeta “Zëri”.
Talenti vushtrrias vendosi të hiqte dorë nga Kombëtarja shqiptare për t’iu bashkuar ekipit më të ri në Evropë pas pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA në vitin 2016.
Dhe, uebfaqja “Calcio360.eu” ia ka kushtuar një shkrim të veçantë futbollistit kosovar, i cili aktualisht është pjesë e Werder Bremenit në Gjermani. “Ai po konsiderohet si njëri prej lojtarëve të rinj më interesantë në ligë”, shkruan ky portal.
Kush është Milot Rashica?
Është lindur në Kosovë në vitin 1996. Gjatë eksperiencës në Kosovën e Vushtrrisë është bërë kampion i shtetit. Është transferuar në vitin 2015 nga Vitesse, skuadër e cila i vlerëson gjithmonë të rinjtë për një shifër prej 300 mijë eurosh. Kishte nënshkruar kontratë për tre vjet me opsion për dy të tjerë. Në vitet e tij në tokën holandeze e ka fituar një kupë historike të Holandës me Vitessen, ndërsa e mbylli eksperiencën atje me afro 100 ndeshje dhe 15 gola.
Një talent i ri në Bundesligë
Në janar të vitit 2018 u transferua në Werder Bremen për 7 milionë euro, duke e pasuruar tej mase ish-klubin e tij. Ai nënshkroi për katër vjet e gjysmë me klubin gjerman. Deri tash me fanellën e verdhë i ka zhvilluar 13 ndeshje dhe ka realizuar 2 gola.
Kombëtarja
Në vitin 2015 kishte debutuar me ekipin U-21 të Shqipërisë në kualifikimet për Euro 2017. Në vitin 2016 kishte debutuar me ekipin kombëtar të Shqipërisë. Pak muaj më pas iu bashkua të “sapolindurës” përfaqësuese e Kosovës. Pasi e mori lejen e nevojshme nga FIFA është bërë pjesë e rregullt e “Dardanëve”, me të cilët ka zhvilluar 19 ndeshje dhe ka realizuar 2 gola. Të dytin e shënoi këtë muaj, një gol fantastik ndaj Ishujve Faro në Ligën e Kombeve.
Karakteristikat e Milotit
Milot Rashica është një lojtar i gjithanshëm. Ai mund të luajë në të dy krahët, por edhe në mes, ndërsa mund të adaptohet edhe si mesfushor prapa sulmuesit. Edhe pse roli i tij i preferuar është ai i anësorit të djathtë. Bëhet fjalë për një lojtar të shpejtë, të aftë për ta bërë tranzicionin ofanzivë në ofanzivë. Është specialist për të shkuar deri në fund për të krosuar, duke ofruar asiste brilante për shokët e repartit. Qëndron mirë edhe me driblingje falë teknikës së tij dhe di mjaft mirë të gjejë hapësira te kundërshtarët. Është një djathtak natyral, kështu që luan në krahun e këmbës së tij më të mirë, por di të luajë edhe me të majtën. Di të jetë i rrezikshëm edhe me gjuajtjet nga distanca, edhe pse për momentin shënon pak për rastet që i krijon. Ai është vetëm 22 vjeç dhe ka dëshirë të madhe të dalë në pah. Kryesia dhe trajneri i Werderit llogarisin shumë në të për të ardhmen. Edhe pse nuk njihet shumë në botën e futbollit, është një lojtar ekstremist i vlefshëm./Zëri