Valmira Rashiti nga Rrjeti i Grave të Kosovës ka thënë se në Kosovë ende ekziston mendësia se gratë nuk janë të denja ta trashëgojnë pronën e familjes së tyre.
Ajo në Raport të KTV-së ka thënë se rol të madh luan edhe mendësia patriarkale institucionale.
Rashiti duke përmendur procedurat e zgjatura gjyqësore në rastin e trashëgimisë, ka thënë se rol të madh luajnë edhe gjyqtarët e rastit të cilët mund t’i shkurtojnë këto tejzgjatje.
“Problemi kryesor konsiston në trysninë familjare, presionin familjar. Gratë ende e ndiejnë në psikikën e tyre që nuk janë të denja për me e trashëgua pronësinë e familjarëve të tyre burra, që ta vazhdojnë ta kultivojnë veprimtarinë e tyre dhe me arrit me e trashëgu atë që ju takon me ligj. Në grupet tjera rol të madh luan ,mendësia patriarkale institucionale. U përmend stërzgjatja e procedurave gjyqësore, ende kemi gjyqtarë që ndoshta po ta kishin interpretuar ligjin siç duhet, dhe t’i kishin mënjanu konfliktin mes dispozitave, ndoshta kish mu shkurtu këto tejzgjatje dhe gratë do të mbërrinin t’i realizonin këto të drejta”, ka thënë ajo.