Drejtori i Grupit Ballkanik për Politika, Naim Rashiti, ka folur për skenarët për marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi.
Rashiti, në Express Intervistën në KTV ka thënë se është duke punuar që dialogu të jetë funksional dhe si përfundim të nxirret një konsensus.
“Janë procese të ndara, 1 është e vitit 2013 që ish dashtë të implementohet deri tani, por kjo marrëveshje ka ngecë dhe është e vështirë të shkohet pjesë pas pjese, copëza copëza me Serbinë. Edhe BE-ja thotë se marrëveshje të tilla nuk përmirësojnë marrëdhëniet Kosovë-Serbi”, tha ai.
Rashiti ka shtuar se janë tri grupe skenarësh në të cilat po punojnë, është pasqyrim i percepsionit që përfshinë intervista me politikanë, shoqërinë civile, etj.
“Qytetarët nuk janë të interesuar që ky dialog të vazhdojë në këtë formë si deri tani”, tha ai.
Në kuadër të këtij skenari, Rashiti thotë se me një traktat paqe me Serbinë do siguronte anëtarësimin e Kosovës në OKB, natyrisht edhe në BE e në NATO.
“Të intervistuarit tanë shprehen të brengosur se nëse s’ka marrëveshje me Serbinë, mund të ketë edhe hapje të opsioneve tjera, si psh, shkëmbimi i territoreve, apo ndarja”, tha ai.
Rashiti ka thënë se edhe Kosova duhet të mos heqë dorë shpejt në lidhje me dialogimin me Serbinë.
“Është proces i komplikuar, e ndoshta më i komplikuar se pavarësia e Kosovës”, tha ai.
“Marrëveshja përfundimtare duhet të jetë shumë e hapur. Perëndimi nuk po vendos njohje. Serbisë me automatizëm po i bëhet favor i madh. I mbetet Prishtinës se çka duhet të vendosë në tavolinë”, tha tutje ai.
Rashiti shtoi se do të ketë presion mbi institucionet që këto tema për dialog të vendosen sa më parë në tavolinë.
Rashiti ka thënë se dialogu ka kaluar në nivel presidentësh vetëm për shkak të emrit të Vuçiqit, dhe ka thënë se presidenti Thaçi se ka fuqinë e njëjtë si ai.
“Në Kosovë është më pak i rëndësishëm formati. Ekipet duhet të jenë të pranueshme sikur që janë në parlament. Ky dialog i ardhshëm do jetë më intensiv dhe do përfshijë shumë fusha, struktura e njerëz dhe jam i bindur se liderët do të mendojnë për një formë konsensusi”, tha ai.
Rashiti ka thënë se ka parë gatishmëri nga liderët, dhe beson se do të ketë përparim në marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi.
“Modeli i Vjenës nuk funksionon më. Tani do ndahen përgjegjësitë, do ketë ekspert të involvuar”, tha ai.
Rashiti ka thënë se nuk e di nëse ky dialog do të udhëhiqet nga Thaçi, por ai nuk do të jetë vendimmarrës pasi do jetë strukturë më e gjerë, dhe se tani pritet të formohet një konsensus, çka nuk është bërë deri tani.
“Të gjitha subjektet politike duan të kenë dorë në këtë skenar”, tha për fund Rashiti.