Një rast i rëndë ka ndodhur ditë më parë në Spitalin e Gjakovës. Një grua me probleme shëndetësore ka ushtruar dhunë ndaj burrit të saj, i cili është pjesërisht i palëvizshëm dhe po trajtohet në këtë spital. Pamjet nga ky rast janë publikuar në rrjete sociale, por Gazeta Express nuk do t’i publikojë për shkak të ndjeshmërisë së rastit.
Rastin e ka konfirmuar Drejtori i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta.
“Po, rasti është raportuar më datë 18.01.2022 por që dyshohet të ketë ndodhur më datë 14.01.2022 rreth orës 03:00. Një videoincizim është pranuar në adresën zyrtare të PK-së ku një person i dyshuar (femër) shihet duke e goditur viktimën (burrë, pacient i shtruar në spitalin rajonal në Gjakovë). Pas identifikimit të personave në videoincizim, policia në Gjakovë ka arrestuar të dyshuarën dhe e njëjta me urdhër të prokurorit ndalohet për 48 orë por për shkak të probleme shëndetësore të natyrës emocionale, e njëjta vendoset në repartin e neuropsikiatrisë në spitalin rajonal në Gjakovë”, ka thënë Graishta.
Detaje të tjera rreth rastit ka dhënë zëdhënësi i Policisë për këtë rajon, Nysret Xhurkaj.
“ Me datë 14.01. 2022 rreth orës 03:00 , e dyshuara kishte sulmuar fizikisht viktimën (burrin e saj), i cili është pjesërisht i pa lëvizshëm. Rasti ka ndodhur në repartin e neurologjisë në spitalin “Isa Grezda” – Gjakovë. Viktima ka pësuar lëndime trupore”, ka thënë Xhurkaj.
Ai ka bërë me dije se e njëjta është arrestuar, por se shkaku i problemeve shëndetësore të natyrës emocionale, e njëjta është dërguar në repartin e neuropsikiatrisë në spitalin rajonal në Gjakovë.
“Viktimës i është ofruar ndihma mjekësore, si dhe mbrojtësi i viktimave është njoftuar për rastin e ndodhur, po ashtu prezent ka qene dhe punëtori qendrës sociale. E dyshuara ( bashkëshortja) është shoqëruar në Stacionin policor, është intervistuar dhe në konsultim me prokurorin kujdestar, e njëjta mbahet në ndalim policor, por për shkak te gjendjes se saj mendore, me udhëzim te mjekut psikiatër, e njëjta është hospitalizuar në repartin e psikiatrisë, nën shoqërimin e zyrtarëve policor”, ka thënë Xhurkaj./Gazeta Express