Partitë politike shqiptare në opozitë kanë reaguar pas vendimit gjyqësor për rastin e vrasjes së vogëlushit Almir Aliu. Kreu i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela në një reagim në rrjetet sociale shkruan:
“Çështja Almiri assesi nuk duhet trajtuar si çështje e familjes Aliu. Është çështje e një fëmije dhe e një prindi që jeton në çdo cep nën juridiksionin e Maqedonisë. S’është çështje e një komisioni parlamentar të iniciuar nga njerëz “Selfi qesharak e të pështirë” me qëllim devijimin e zgjidhjes së drejtë të të njëjtës dhe humbjes nëpër labirintet e politikës së ndytë që po të të njëjtit soj kanë promovuar tash e gjashtëmbëdhjetë vite të kaluara”, është shprehur Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Afrim Gashi, kreu i njërit fraksion të Lëvizjes Besa, po ashtu ka reaguar për vendimin e fundit gjyqësor.
“Derisa për shqiptarët, si në rastet e montuara dhe të përvuajtura, tashmë të njohura për opinionin, edhe kur nuk ka bazë, shqiptohen dënime drakonike dhe burg i përjetshëm, në kohën që një vrasës shqiptari duhet ta marrë dënimin e vrasjes, kjo nuk ndodh. Kjo, përveç diskriminimit, merr edhe nuanca racizmi. Ky vendim i sotëm e dëmton seriozisht mirëbesimin ndëretnik dhe besimin ndaj institucioneve në Maqedoni, për të cilin jemi angazhuar edhe ne tashmë një kohë të gjatë”, ka deklaruar Lëvizja Besa e Afrim Gashit.
Reagime ka pasur edhe nga Lëvizja Besa e drejtuar nga Bilall Kasami.
“Gjykata duke dashur që të vendosë drejtësi, për herë të dytë e vrau Almirin e vogël duke i dhënë dënimin minimal vrasësit Boban Iliq por edhe më e keqja duke i dënuar edhe familjarët e Almirit të vogël. Shqetësimet që i kemi ngritur në vazhdimësi që nga rikualifikimi i lëndës e deri në këtë gjykim skandaloz dëshmon se gjyqësia në Maqedoni është ende e kapur, selektive, joprofesionale dhe me këtë imponohet reforma radikale të gjyqësorit i cili për fat të keq edhe sot e kësaj dite vendimet i bazon në përkatësinë etnike të palëve”, thanë nga Lëvizja Besa e Bilall Kasamit.