Vdekja e Astrit Deharit në qelinë e paraburgimit me 5 nëntor 2016, vazhdon të mbetet ende një mister i pazgjidhur.
Së fundmi ky mister është rikthyer sërish në vëmendje të opinionit, pas zhdukjes së mostrave të Deharit në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Më 8 dhjetor 2022 Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se janë zhdukur provat për rastin e vdekjes së Astrit Deharit.
Ministria e Drejtësisë më pas njoftoi se ka pezulluar nga puna katër zyrtarë të IML-së në lidhje me rastin.
Sipas njoftimit, komisioni disiplinor i Institutit për Mjekësi Ligjore kishte marrë vendim për pezullim nga puna të zyrtarëve:
Nardi Sheqergjiu, toksikolog mjekoligjor në Institutin për Mjekësi Ligjore,
Flutura Goga, udhëheqëse e laboratorit të toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore,
Anila Lakna, teknike e laboratorit të toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, dhe
Ilirjana Shala, kimiste në Institutin për Mjekësi Ligjore.
Pas suspendimit të tyre nga puna, të njëjtit janë rikthyer sërish në IML. Ditor Haliti, zv.drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore, tha se katër punëtorët e suspenduar me vendim të komisionit disiplinor me 8 dhjetor të vitit 2022, janë rikthyer në punë.
Në pyetjen rreth akuzave të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi se ekzistojnë video-incizimet ku shihet se kush i ka zhdukur mostrat e aktivistit Astrit Dehari, Haliti tha se nuk kanë pasur qasje në ato video, sepse janë marrë nga Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale.
Haliti tha në RTK se policia është duke i shqyrtuar ato, derisa tha se nuk ka asnjë informatë nëse ka ndonjë regjistrim apo ndonjë fakt rreth asaj se kush i ka marr këto mostra.
Rikthimin në punë të katër të suspenduarve e kanë konfirmuar edhe nga Ministria e Drejtësisë.
Genc Nimoni, shef i kabintetit të Ministrisë së Drejtësisë ka thënë se bazuar në Ligjin për shërbyes publikë, në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore janë të formuara dy komisione: komisioni disiplinor dhe komisioni për ankesa.
“Siç jeni në dijeni, komisioni disiplinor ka suspenduar zyrtarët në fjalë mirëpo të njëjtit janë kthyer nga komisioni i ankesave” – thuhet në përgjigjen e Genc Nimonit.
Më 4 gusht të vitit 2016 kur objekti i Kuvendit të Kosovës u sulmua me një granatë dore. Me 30 gusht të atij viti, Policia kishte arrestuar gjashtë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, si të dyshuar për kryerjen e sulmit. Një nga ta ishte Astrit Dehari.
Bashkë me të tjerët, Astriti kishte përfunduar në paraburgim në Prizren, teksa priste për një aktakuzë, ngritjen e së cilës nuk e përjetoi. Me 5 nëntor të vitit 2016, Astrit Dehari, u gjend i vdekur në qendrën e paraburgimit në Prizren. /Telegrafi