Rasti “Dehari – intervistohen 14 dëshmitarë, Gashi tregon se çfarë deklaruan

Prishtinë | 09 Jan 2020 | 17:39 | Nga Arlinda Sejdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

14 dëshmitarë shumica prej tyre gardianë e staf mjekësor deri më tani janë intervistuar nga Prokuroria Speciale në lidhje me rastin e Astrit Deharit.  Nga hetues të Policisë së Kosovës është marrë në pyetje rreth dy orë edhe ish-drejtori Rajonal i Policisë në Prizren, Nexhmi Krasniqi.

Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, tha për Ekonomia Online se Krasniqi ka sqaruar deklaratën të cilën e kishte dhënë atë kohë në lidhje me Astrit Deharin.

Gashi thotë se gjatë marrjes në pyetje Krasniqi është deklaruar se informatat të cilat i kishte dhënë, i kishte marrë nga Destan Zogaj, atë kohë drejtor i Burgut ku qëndronte Astrit Dehari, informata këto të cilat më tej janë keqpërdorur nga një gazetar.

“Nexhmi Krasniqi ka deklaruar se gazetari e ka kontaktuar atë pastaj Nexhmi Krasniqi e ka kontaktuar drejtorin për të marrë vesh se çfarë po ndodhë dhe këto deklarime që kinse Astrit Dehari ka vdekur si pasojë e marrjes së tepërt të ilaçeve apo medikamenteve sipas Nexhmi Krasniqit janë deklarata që i ka thënë atij Destan Zogaj dhe pastaj ky ia ka transferuar këto gazetarit Petrit Kryeziu thjesht për të informuar. Sipas Nexhmi Krasniqit, deklarata e tij është keqpërdorur nga Petrit Kryeziu dhe deri më sot nuk është demantuar kurrë edhe pse Krasniqi ka kërkuar që kjo të bëhet”, tha Gashi për Ekonomia Online.

Në mesin e dëshmitarëve që pritet të intervistohen është edhe Adonis Gashi, i cili ka qenë në një dhomë me Astrit Deharin. Mirëpo, Gashi tregon se ky person është në arrati.

“Adonis Gashi është njëri prej atyre që do duhej të intervistohet nga Policia e Kosovës në rastin e Astrit Deharit se ky ka qenë njëri prej atyre që ka qenë në dhomë me Astrit Deharin, në momentet kur ka ndërruar jetë, Astrit Dehari apo kur është vra. Ne nuk po themi që ky është prej personave kryesor por e dimë që Policia është duke e kërkuar meqenëse ky duket se është larguar  nga vendbanimi i tij për shkak të një rasti tjetër dhe ky thjesht ka një fletarrest policor. Unë nuk e kam thënë kurrë që Adonis Gashi është zhdukur sepse unë nuk kam informata dhe nuk kam të drejtë ta them këtë. Unë kam thënë që Policia më ka njoftuar  se ka një flet arrest për shkak të një rasti tjetër dhe se flet arresti do të thotë që ai nuk është në vendbanimin e tij dhe është larguar.”, u shpreh Gashi.

Sipas Gashit, në ditët në vijim pritet të intervistohen edhe dy persona të tjerë.

“Deri më tani janë intervistuar 14 persona dhe kanë mbetur të intervistohen Luz Allakaj i cili ka qenë në afërsi të dhomës së Astrit Deharit në vitin 2016 dhe Frok Laski i cili ka qenë në dhomë me Astrit Deharin. Që të dy këta persona duket që për arsye të tjera janë në vuajtje të dënimit në burgun e Dubravës në ditët e ardhshme me hetuesit policor do të caktojmë ditën kur do të merren në pyetje”, tregoi ai.

Gashi tregon se ka shumë risi gjatë deklarimeve nga dëshmitarët e intervistuar deri më tani. 

“Ka shumë risi, një pjesë e tyre  apo pjesa më e madhe janë gardianë dhe ajo që deri më tani është tepër shokuese dhe risi se është vërtetuar se ka pasur hyrje dhe dalje sekrete apo të cilat nuk janë ditur nga ndërtesa e burgut në Prizren në ndërtesën e Policisë së Kosovës të cilat thuajse janë të ngjitura. Deri më tani askush nuk i ka përmendur dhe me këtë faktikisht vërtetohet deklarata e nënës së Astrit Deharit, zonja Nexhmie që Astriti gjatë vizitave që ka pasur i ka deklaruar se po e marrin në pyetje gjatë orëve të natës”, theksoi Gashi për EO.

Gashi thotë se shumë shpejt pritet të përfundojë intervistimi.

“Duhet me një shpejtësi tjetër të veprohet dhe duhet të jepet kahje tjetër e zbulimit të vrasësve dhe jo të riintervistohen oficerët e Qendrës së Paraburgimit në Prizren dhe disa dëshmitarë të tjerë që nuk janë marrur në pyetje kurrë”, theksoi Gashi.

Prokuroria Themelore në Prizren më 24 tetor të vitit të kaluar pranoi raportin e ekspertizës së rastit të vdkejes së Astrit Deharit të bërë nga Instituti Zviceran i Mjekësisë Ligjore..

Sipas raportit të Lozanës bëhet fjalë për vrasje dhe jo për vetëvrasje, dhe sipas kësaj duhet të hapen hetimet për vrasjen e Astrit Deharit për vrasje në nëntor të vitit 2016 në burgun e Prizrenit.

Astrit Dehari ka vdekur më 5 nëntor 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ku po mbahej si i dyshuar për sulmin e 4 gushtit 2016 me granatahedhës në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Instituti i Mjekësisë Ligjore vdekjen e Deharit e kishte konsideruar vetëvrasje, ndërsa disa ekspertë të pavarur të ngarkuar nga familja këtë vdekje e kishin cilësuar vrasje.

Familja Dehari kishte kërkuar ekspertizë lidhur me vdekjen e tij nga instituti zviceran.

Të ngjashme