Rasti i 53-milionëshit, ftohet si dëshmitare deputetja Albena Reshitaj

Prishtinë | 09 Shk 2023 | 14:27 | Nga Ekonomia Online

Në rastin e njohur si “Rasti i 53 milionë eurove”, dëshmitari Ramë Qupeva, drejtor në Departamentin për Infrastrukturë Rrugore në Ministrinë e Infrastrukturës, ka deklaruar se njësia për implementimin e projektit nuk ka marrë pjesë në të gjitha takimet e Komitetit Drejtues Ndërministror (KDN).

Këtë deklarim, Qupeva e dha në gjykimin ku ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) dhe Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Dëshmitari Qupeva ka thënë se ka qenë menaxher i kësaj njësie, e cila sipas tij ishte formuar me vendim të kryesuesit të Komitetit Drejtues Ndërministror, Fehmi Mujota, pas nënshkrimit të kontratës në mes të Ministrisë së Infrastrukturës dhe kompanisë “Bechtel & Enka”, e që sipas tij kjo njësi ka qenë si një lloj sekretarie e këtij komiteti.

Ndërsa mbrojtja e ish-ministrit Pal Lekaj, avokati Musa Damati, ka theksuar për EO se në këtë proces po synohet që klienti i tij të flijohet në emër të të gjithë atyre skandaleve të cilat e kanë karakterizuar autostradën Prishtine-Hani Elezit”.

“Seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Ramë Qupeva i cili në cilësinë e zyrtarit të lartë teë Ministrisë seë Infrastrukturës ka dhënë informacione lidhur me projektin e autostradës. Prokuroria Speciale ka vazhduar me marrjen ne pyetje te deshmitarit duke tentuar qe ta inkriminoj ish Ministrin e Infrastrukturës, ish-këshilltarin e tij politikë, ish-sekretarin dhe te tjerët në këtë rast. Në këtë proces po synohet që klienti im te flijohet në emër të të gjitha atyre skandaleve të cilat e kanë karakterizuar autostradën Prishtine Hani Elezit”, tha Damati, teksa shtoi se në seancën e radhës është ftuar ish-ministrja Albena Reshitaj.

“Seanca e radhës në këtë proces penal është caktuar për datën 31 mars 2023 ku do te vazhdohet me dëgjimin e ish-ministres së Mjedisit, Albena Reshitaj e propozuar si dëshmitare nga Prokuroria Speciale e Kosovës”, ka thënë ai.

Të ngjashme