Pas gati tri javësh, Ferizajt i janë kthyer rastet me COVID-19. Mbrëmë atje është konfirmuar një rast i ri. I infektuari është një kirurg, i cili është rast kontakti i një klinike private në kryeqytet. Detaje rreth këtij rasti dhe gjendjes së të infektuarve ka dhënë Kryetari i Komunës, Agim Aliu.
Aliu ka deklaruar se sot nga kjo komunë do të testohen tetë persona, të cilët kryesisht janë familjarë të të infektuarit.
Ai ka treguar se në këtë komunë i kanë vetëm tri raste aktive me koronavirusin e ri. Thotë se gjendja e të infektuarve është e mirë, derisa për kirurgun që rezultoi pozitiv mbrëmë tregon se ka simptoma të lehta.
“Rasti që doli mbrëmë pozitiv është rast kontakti nga klinika private në Prishtinë. I infektuari është kirurg. Sot do të testohen tetë persona, të cilët janë familjarë dhe persona të tjerë që kanë pasur kontakt me kirurgun e infektuar. Gjendja e tij është e mirë, ka pak simptoma të lehta. Aktualisht në Ferizaj, i kemi vetëm tri raste aktive”, ka thënë Aliu për Express.
Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë me dije se mbrëmë janë testuar gjithsej 196 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.
Prej këtyre mostrave, pozitive kanë rezultuar 11 raste. Rastet pozitive janë raste kontakti nga Vushtrria, Prizreni, Prishtina dhe Ferizaj.
Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë deklaruar se deri tani nga i gjithë vendi janë testuar mbi 10 mijë persona.
Udhëheqës i Divizionit për Komunikim me Publikun në MSH, Faik Hoti ka thënë se në mesin e të testuarve ka edhe persona që bartin përgjegjësi publike.
“Deri tash në Kosovë janë testuar 10130 qytetarë të dyshuar ne SARS-COV-2. Në mesin e të testuarve ka edhe persona që bartin përgjegjësi publike”, ka deklaruar ai.
Por, Hoti nuk ka treguar për numrin e zyrtarëve që janë testuar.
“Kriteret epidemiologjike të testimit nuk e njohin termin “zyrtar” apo “jo-zyrtar” me rastin e marrjes së mostrave për testim, por çdo të testuar e konsiderojnë si të dyshimtë, përderisa rezultati i testit nuk e konfirmon të kundërtën”, thuhet në përgjigjet e Hotit
Nga konfirmimi i dy rasteve të para më 13 mars e deri sot, në gjithë vendin janë konfirmuar 895 raste me COVID-19. Deri tani janë shëruar 657 persona, derisa betejën me koronavirusin e ri e kanë humbur 29 persona.