RCC mbetet partner i besueshëm i BE-së në rajon

Prishtinë | 31 Jan 2020 | 17:26 | Nga Ekonomia Online

“2020 është vit thelbësor për rajonin dhe marrëdhëniet e dyanshme mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, por edhe për rritje të vazhdueshme ekonomike. RCC mbetet një partner i besueshëm i BE-së në rajon, si edhe partner i besueshëm i rajonit në BE. Ne të gjithë kemi shpresë dhe pritshmëri për zhvillime të reja dhe pozitive gjatë Presidencës Kroate të BE-së dhe Samitit të ardhshëm në Mars. Ky proçes ka të bëjë me punën e përbashkët, në axhendat e përcaktuara tashmë, drejt një qëllimi të përbashkët – një Europë më të fortë dhe të plotësuar”, tha Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) në takimin me Oliver Varhelyi, Komisioneri i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim.

Komisioneri Varhelyi, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor në përshpejtimin e zhvillimit ekonomik dhe integrimin në BE.

Gjatë vizitës së saj zyrtare në Bruksel, Sekretarja e Përgjithshme Bregu u takua gjithashtu me Mariya Gabriel, Komisioneren Europiane për Inovacionin, Hulumtimin, Kulturën, Edukimin, Rininë dhe Sportin, me të cilën diskutoi projektin e ardhshëm të RCC ‘Youth Lab-Laboratori i tw Rinjve’, që po financohet nga BE, dhe modelet e Forcimit të Grave në STEM, një projekt që RCC po ndjek së bashku me UNDP.

“Rinia është arma më e fortë e rajonit për ndryshim dhe zhvillim, dhe vendosja e tyre në qendër të vëmendjes është një angazhim tek i cili duhet të përqëndrohemi të gjithë, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, duke marrë parasysh se statistikat demografike janë shqetësuese. Popullata e përgjithshme e moshës së punës në rajon ka rënë me më shumë se 400,000 individë në 5 vitet e fundit, duke përfshirë të rinjtë që largohen për të kërkuar punë ose arsimim diku tjetër “, theksoi Bregu.

“RCC e konsideron këtë çështje me seriozitet të thellë dhe me mbështetjen e Bashkimit Europian, si dhe të partnerëve tanë në qeveritë e rajonit, me projektin tonë ‘Youth Lab-Laboratori i të Rinjve’, ne planifikojmë të zbulojmë se cilat janë zgjidhjet më të përshtatshme dhe efektive për të rinjtë, duke sjellë kështu politika të përmirësuara në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, për t’i mbajtur të rinjtë në rajon.”

Komisionerja Gabriel e ritheksoi mbështetjen e fortë të BE-së për prioritetet e Ballkanit Perëndimor në inovacion, arsim, rini, kërkim shkencor dhe kulturë.

Sekretarja e Përgjithshme e RCC, së bashku me skuadrën e saj, mori pjesë edhe në takimin e rradhës së Partisë për Punën në Rajonin e Ballkanit Perëndimor (COWEB) të mbajtur sot në Bruksel, ku u diskutuan marrëdhëniet e BE me rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Të ngjashme