Në fshatin Llabljan të komunës së Novobërdës, në pjesën lindore të Kosovës, dje është dëmtuar dhe demoluar xhamia e fshatit, ku dyshohet se krimi është kryer nga një serb nga komuna e Novobërdës, i cili është arrestuar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim zyrtar nga Policia e Kosovës thuhet se dje pasdite një person “ka dëmtuar dhe demoluar xhaminë e fshatit Llabjan të Novobërdës.” Pas ankesës së një banori njësiti policor ka dalë për ta hetuar rastin dhe lidhur me këtë ngjarje është informuar edhe prokurori kompetent. Policia më pas ka arrestuar një serb të dyshuar nga komuna e Novobërdës, identiteti i të cilit nuk është publikuar ende.
Për rastin i cili është publikuar edhe në mediat kosovare dihet se i dyshuari u mbajt në paraburgim për 48 orë. Gjithashtu, gjetjet janë se i njëjti person është i dyshuar për thyerjen e dritareve të një shkolle dhe tre shtëpive private në Llabjan.
Lidhur me rastin ka reaguar Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), ku në deklaratën e BIK-ut thuhet se xhamia e Llabjanit është demoluar nga një pjesëtar i komunitetit serb i cili ka bërë edhe përdhosjen e sallës së lutjeve, si dhe ka dëmtuar e përdhos lehvat me ajete nga Kurani famëlartë që kanë qenë të vendosura në muret e xhamisë.
“Kërkojmë nga organet kompetente të marrin masat e duhura për sigurinë e objekteve fetare, që mos të bien pre e individëve që kanë qëllime të errëta. Nga ana jonë mbetemi të përkushtuar për kultivimin e tolerancës, mirëkuptimit e mirëbesimit në vendin tonë”, thuhet në këtë deklaratë.
Ndërsa, edhe shefi i grupit parlamentar “Lista Serbe” në kuvendin e Kosovës, Slavko Simic ka reaguar ndaj përdhosjes së xhamisë në Llabjan. Ai në deklaratën e tij duke falënderuar policinë “për reagimin e shpejtë dhe për arrestimin e kryerësit të këtij akti të palejueshëm pa marrë parasysh përkatësinë e tij etnike e fetare” ka thënë se është e palejueshme përdhosja e objektit fetar.