Reagimet pas debatit të parë Trump-Biden

Prishtinë | 30 Sht 2020 | 16:20 | Nga Ekonomia Online

Reagimet ndaj debatit presidencial midis Presidentit republikan Donald Trump dhe ish-Nënpresidentit demokrat Joe Biden, ishin të ndara në linja partiake. Por, ajo që bie në sy janë kritikat e ashpra për mbarëvajtjen e debatit, të shoqëruar me ndërhyrje të shpeshta në fjalët e njëri-tjetrit.

Ronna McDaniel, kryetarja e Komitetit Kombëtar Republikan, shkroi në Twitter pas debatit se “Për nëntëdhjetë minuta, Donald Trump paraqiti argumente të forta dhe bindëse për rizgjedhjen e tij dhe sfidoi Joe Biden-in për mbështetjen që ai u ka dhënë politikave radikale që do të rrisnin taksat, shkatërronin vendet e punës dhe do t’i bënin komunitetet tona më pak të sigurta”.

Tim Murtaugh, drejtori i komunikimit për fushatën e rizgjedhjes së Presidentit Trump, i tha korrespondentes së Zërit të Amerikës Carolyn Presutti se paraqitja e presidentit ishte “fantastike”.

“Ajo që panë shikuesit ishte Presidenti Trump, i cili ishte në kontroll të çdo momenti të debatit. Joe Biden ishte dobët, në kërkim të dikujt që mund ta shpëtonte”, tha Murtaugh.

Figurat e njohura të demokratëve, ndërkohë, thanë se debatin e fitoi ish-Nënpresidenti Biden dhe se paraqitja e presidentit Trump ofroi arsye të shumta për t’i mohuar atij një mandat të dytë.

“Donald Trump ka dështuar me gënjeshtrat, fanatizmin dhe udhëheqjen e tij të pamatur”, shkroi në Twitter senatori Cory Booker nga Nju Xhërsi, i cili garoi kundër Biden-it në zgjedhjet paraprake të demokratëve në fillim të këtij viti. Senatori Booker në veçanti denoncoi presidentin për qëndrimin ndaj supremacistët e bardhë, që në vend që t’i dënonte , u bëri thirrje që të “presin”.

Shumë vëzhgues të debatit kritikuan ashpër shkëmbimet me zë të lartë dhe kaotike midis dy kandidatëve, duke përfshirë gazetaren e Washington Post-it, Karen Attiah, e cila e quajti debatin “një turp kombëtar”.

Disa analistë, përfshirë historianin presidencial Michael Beschloss, kritikuan ashpër presidentin. “Demokracia u nëpërkëmb sonte nga një President i cili shkeli rregullat, refuzoi të dënonte supremacistët e bardhë dhe nuk toleroi asnjë formë të mospajtimit, një shenjë paralajmëruese e asaj që mund të shihet në një mandat të dytë,” shkroi Beschloss në Twitter.

Të tjerët, si ish-senatori republikan Jeff Flake, shprehën keqardhje për të gjithë spektaklin. “Ne jemi një vend më i mirë se sa ajo që u shfaq sonte,” shkroi Flake në Twitter.

Profesori i shkencave politike në Universitetin e Virxhinias, Larry Sabato, postoi një mesazh të prerë në llogarinë e tij në Twitter: “Anuloni debatet e mbetura presidenciale”.

Por Tim Murtaugh i mbrojti shkëmbimet, duke i quajtur ato sqaruese. “Unë mendoj se një bisedë e lirë si ajo që bëri presidenti ishte në të vërtetë e mirë, lejon një shkëmbim më të mirë të ideve dhe i ofron shikuesit ndryshimin e vërtetë midis të dyve”, tha ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme