Emri i ministres në detyrë të Ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, është lakuar sot në media ku thuhej se kjo e fundit ofertoi 300 mijë euro në emër të Faton Dalladakut. Bëhet fjalë për një tender për blerjen e një toke, në vitin 2010. Si përfaqësuese e Dalladakut, ajo kishte vënë nënshkrimin e saj në dokumentet për ofertim lidhur me këtë shit-blerje, për të aplikuar në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP). E për këtë lajm nuk la pa reaguar Haxhiu përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook.
Haxhiu tha se lajmi i bazuar në dokumentin e publikuar nuk është krim apo skandal sepse dokumenti është i shkruar dhe i evidentuar, e rrjedhimisht nuk ka asgjë sekrete apo të fshehur aty.
“Disa portale paskan publikuar një dokument ku ishte emri im dhe lajmit i ishte dhënë aso kuptimi që të aludohej se ishte ndonjë krim apo skandal. Për sqarim të opinionit publik ky dokument është i mbi 10 viteve kur unë e kam vendosur emrin tim në cilësinë e përfaqësueses ligjore të asaj kompanie aso kohe dhe për më tepër është dokument i shkruar dhe evidentuar, nuk ka asgjë sekrete e të fshehur aty”, shkruan Haxhiu.
Ajo akuzoi mediat se po përpiqen ta njollosin integritetin e saj. Por, pavarësisht kësaj ajo tha se sulme të tilla nuk e ndalin.
“E kuptoj luftën e egër të zhvatësve nëpërmjet portaleve të caktuara që tentojnë që çdo punë ligjore të tentohet të përkthehet si punë kundërligjore. E kuptoj edhe luftën speciale të këtyre zhvatësve me qëllim të njollosjes së integritetit tim. Pavarësisht kësaj, unë do t’i shkoj deri në fund punës time të ndershme pavarësisht sfidave. Zhvatësit kot e kanë sepse sulmet e tilla nuk na ndalin”, shkruan Haxhiu.
E për drejtorin Rrahim Rama, ajo tha se do të ballafaqohet me të në gjykatë, pasi edhe i ka ngritur padi.
“Dhe në fund sa i përket ish drejtorit të Agjensionit Rrahim Rama, tashmë kam bërë padi kundrejt tij. Me të do ballafaqohem në Gjykatë. Por po ashtu do bëjmë njoftim për policinë për gjitha shkeljet që ka bërë gjatë kohës sa ishte drejtor në këtë Agjension”, shtoi Haxhiu.