Pas shumë spekulimeve dhe hamendësimeve, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS) ka lëshuar një komunikatë për media se ku do të zhvillohet ndeshja që vendos edhe për titullin e kampionit.
Prishtina dhe Drita nuk do të zhvillojnë takimin e fundit kampional në stadiumin e qytetit të Prishtinës.
Kjo ka bërë që të reagojë skuadra prishtinase, e cila nuk e arsyeton vendimin e Federatës së Futbollit të Kosovës.
“Edhe një fitore e Fadil Vokrrit kundër Prishtinës. Nuk mbizotëroi arsyeja edhe pse të gjithë përgjegjësit ishin për t’u zhvilluar ndeshja në stadiumin e qytetit – ishte Vokrri që me presion të paparë e të padëgjuar duke mos fjetur tërë natën e mbase duke qëndruar te “Bata” në Graçanicë, nuk la birë pa thirr e duke arritur qëllimin duke e penguar të zhvillohet ndeshja në stadiumin tonë”, shkruan në reagimin e bardhekaltërve.
Më tutje, Prishtina i kujton kohën kur ishte pjesë e klubit dhe se,sipas tyre, paturpësisht po e sulmon klubin që e bëri të famshëm.
“Dikur jetonte me ndihma në Francë e pastaj drejtori i klubit me 3.000 euro rrogë, sot fuqishëm e paturpësisht e luftoi klubin që e kaliti, klubin që e ktheu në vendlindje duke e amnistuar nga ngjarjet që opinioni kurrë nuk do t’ia harrojë gjatë viteve 90-ta. Ai sot manipuloi me tërë institucionet, por jo edhe me opinionin publik, jo me adhuruesit tanë e jo me banorët e qytetit. Prishtina është më e madhe se çdo individ”, shkruan në deklaratën e klubit të publikuar në llogarinë zyrtare në Facebook.