Reagon Kuvendi: Nuk ka vendim për privilegjet e deputetëve

Prishtinë | 28 Mar 2017 | 16:47 | Nga

Kuvendi i Kosovës njofton se informacioni i pasqyruar në disa media lidhur me, siç thuhet “vendimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa për rritjen e pagave të deputetëve për vitet 2018 dhe 2019”, është tërësisht i pavërtetë dhe huqje e gazetarëve që kanë ndjekur mbledhjen e sotme të komisionit.

“Disa media, të cilat kanë raportuar nga mbledhja e sotme e Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke u thirrur në miratimin e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve të Kuvendit nga ana e komisionit, kanë prezantuar të dhëna të pavërteta lidhur me vendimet e komisionit. Të vetëdijshëm për gabimin, më pas, nëpërmjet mesazheve telefonike në adresë të drejtuesve të administratës, gazetarë të caktuar kanë kërkuar falje për këtë keqinformim të publikut, duke pranuar se informacioni që kanë plasuar përkitazi me këtë çështje, është i pasaktë”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se Kuvendi vazhdon të jetë transparent dhe i hapur përherë për të gjithë gazetarët të cilët kërkojnë informacione për çdo temë të mundshme, por kërkon nga ta gjithashtu, që gjatë raportimit të tyre, të pasqyrojnë me saktësi dhe korrektësi zhvillimet dhe vendimet që merren në Kuvend dhe në trupat e tij.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme