Reagon “Lab Oil”: Inspektorati erdhi në kohën e varrimit të Jeminit, PSD-ja të merret me punët e tyre

Prishtinë | 26 Shk 2019 | 18:05 | Nga Ekonomia Online

Menaxhmenti i kompanisë Lab-Oil përmes një komunikate ka njoftuar se informacionet që kanë rrjedhur një ditë më parë nga disa media, se drejtuesit e kompanisë nuk e lejuan kryeinspektorin e Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahmi, ta inspektojë vendin ku humbi jetën ish-punëtori ynë, Krenar Jemini, sipas tyre janë plotësisht të pavërteta.

Në komunikatë thuhet se kompania në fjalë është e indinjuar me reagimin e PSD-së për këtë aksident dhe e sugjerojnë kryetarin e kësaj partie, Shpend Ahmeti të merret me punët e komunës që ai e drejton.

“Jemi thellësisht të indinjuar me reagimin e Partisë Socialdemokrate të Kosovës (PSD), e cila ka rënë pre e dezinformatave të portaleve, pa e verifikuar të vërtetën e ngjarjes tragjike. Nuk ka qenë në praktikën dhe në nderin e partive politike të Kosovës që fatin tragjik të një të riu, si ai i ish-punëtorit tonë, Krenar Jemini, ta shndërrojnë në sensacion medial dhe me te të bëjnë politikë ditore. Partia Socialdemokrate e Kosovës dhe lideri i saj Shpend Ahmeti, më mirë të merren me punët e tyre bashkiake, se sa me ato të cilat nuk i përkasin”, shkruhet në komunikatë.

Menaxhmenti i kësaj kompanie njofton se në kohën kur Kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi kishte shkuar në vendin e ngjarjes, fabrika ka qenë e mbyllur dhe gjithë punëtorët aktual dhe menaxhmenti kishin qenë në varrimin e të ndjerit.

“Me anë të kësaj komunikate, edhe një herë, duam ta bëjmë me dije opinionin se kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi e ka sqaruar krejt keqkuptimin që ka ndodhur të hënën mes tij dhe zyrtarëve të kompanisë Lab-Oil. Pra, kryeinspektori ka shkruar të hënën në mesditë në vendin e ngjarjes pikërisht në kohën kur të gjithë punëtorët dhe menaxhmenti i kompanisë i kishin mbyllur zyrat dhe fabrikën dhe kishin shkruar në varrimin e punëtorit Krenar Jemini, në Mushtisht të Suharekës”, njoftohet në komunikatë.

Kompania njofton se spekulimet se kompania Lab-Oil ka refuzuar të bashkëpunojë me autoritet, janë të pavërteta dhe qëllimkëqija.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme