Reagon MBPZhR: Urdhëresa e ministrit Peci vlen ndaj të gjithëve pa përjashtim, bufetë në ish-Rilindje janë gjobitur dhe mbyllur

Foto: Ekonomia Online
Prishtinë | 17 Mar 2023 | 17:40 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Bujqësisë, në kuadër të së cilës funksionon Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, ka reaguar pas lajmit të publikuar fillimisht në Ekonomia Online, ku shihen disa zyrtarë duke tymosur në bufenë e ndërtesës së Qeverisë, të njohur si “Ish-Rilindja”.

Në “sqarimin” e kësaj ministrie thuhet se duke u bazuar në kërkesën e Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, për zbatueshmërinë e Ligjit për Kontrollin e Duhanit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka inspektuar bufet të cilat gjenden në objektin e “Ish-Rilindjes”, ku aktualisht janë të vendosura stafi i disa Ministrive.

“Në inspektimin e bërë para disa ditësh, njëra hapësirë e cila ka shërbyer si bufe është mbyllur sipas paragrafit 1 të nenit 11 të Ligjit Nr. 04/L-156, ndërsa tjetra është gjobitur për shkelje të ligjit më fjalë. Për të gjitha këto veprime janë të njoftuar menaxherët e këtyre bizneseve dhe po ashtu edhe zyrtarët kryesorë administrativ të institucioneve të cilët do të ndërmarrin masa disiplinore ndaj zyrtarëve dhe personave që kanë shkelur ligjin brenda hapësirave të cilat janë nën menaxhim të tyre, sipas paragrafit 1.2 të nenit 11 të këtij ligji”.

Sipas Ligjit për Kontrollin e Duhanit, masat ndëshkimore për zyrtarët/punonjësit shqiptohen nga Zyrtari Kryesor Administrativ dhe Inspektorati i Punës, ka shpjeguar MBPZhR.

“Hapësirat e lartpërmendura janë inspektuar edhe më parë dhe për subjektet janë dërguar fletëparaqitjet për gjykatë”.

Në komunikatën theksohet se Urdhëresa e Ministrit Peci “vlen ndaj të gjithëve pa përjashtim”. Andaj, edhe AUV do të vazhdojë me inspektimet me frekuencë të shtuar.

LEXO EDHE:

Të ngjashme