“Të gjitha kuzhinat në kazermat e FSK-së janë duke funksionuar si çdo ditë tjetër”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Ky reagim nga Ministria, erdhi pasi u raportua se dreka e servuar këtë të hënë ndaj ushtarëve të FSK-së, s’ka qenë e zakonshme dhe e kompletuar, krahasuar me ditët e kaluara.
Megjithatë, në njoftimin e tyre thuhet se ushqimi aktualisht po përgatitet nga kuzhinierët e huazuar nga Qendra Studentore dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës.
Po ashtu, thuhet se kjo situatë do të jetë afatshkurtër, deri në rekrutimin e stafit profesional.
Njoftimi i plotë:
Të gjitha kuzhinat në kazermat e FSK-së janë duke funksionuar si çdo ditë tjetër.
Pjesëtarëve të FSK-së janë duke ju shërbyer shujtat ditore të zakonshme, i vetmi dallim është që ushqimi është përgatitur nga kuzhinierët e huazuar nga Qendra Studentore si dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës. Kjo do të jetë periudhë tranzitore afatshkurtër, deri në rekrutimin e stafit profesional.
Synimi i Ministrisë së Mbrojtjes është që përmes procesit të rekrutimit të kuzhinerëve sa më parë të vendosim vet-qëndrueshmëri dhe mos varësi nga proceset e stërzgjatura të prokurimit si dhe nga operatorët ekonomik të pakët në Kosovë që mund të ofrojnë shërbime të tilla, duke i dhënë zgjidhje një herë e mirë një problemi të kahmotshëm.