Reagon Rusia për situatën në veri: Kosova t’i tërheq njësitet speciale, po synohet dëbimi i serbëve

Prishtinë | 24 Sht 2021 | 08:56 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë ka shprehur shqetësimin e saj për situatën në Kosovë.

Kjo ministri ka vlerësuar se veprimet e institucioneve të Prishtinë ishin provokime që synonin dëbimin e serbëve.

Në reagimin e saj thuhet se ata janë të shqetësuar për përkeqësimin e situatës në veri të Kosovës.

“Në thelb është një përpjekje e shqiptarëve për të pushtuar zonat e populluara me serbë dhe për të vendosur kontrollin e tyre atje. Ne i konsiderojmë këta hapa si një provokim që synon spastrimin etnik dhe dëbimin e serbëve nga Kosova”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë.

Tutje, kjo ministri u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që urgjentisht të tërheqin njësitë speciale policore nga veriu dhe t’i përkushtohen seriozisht detyrave për zgjidhje të situatës.

“Ne presim që miqtë amerikanë dhe evropianë të Prishtinës të kenë një efekt kthjellues mbi situatën, në mënyrë që të shmangët një skenar destruktiv që kërcënon të gjithë rajonin”, bëhet e ditur në deklaratën e ministrisë së Jashtme ruse, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, në këtë reagim, thuhet se KFOR-i dhe EULEX-i nuk janë të gatshëm të përmbushin detyrën e tyre parësore për ruajtjen e paqes dhe sigurisë, teksa thanë se BE-ja, si e emëruara për të ndërmjetësuar dialogun mes Kosovës e Serbisë, nuk ka ndërmarrë hapa të prekshëm për të arritur ndryshime për të mirë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme