Real Madridi i ka vendosur një afat të qartë yllit brazilian, Vinicius Junior, për rinovimin e kontratës, pasi klubi thuhet se ka bërë ofertën e fundit për vazhdimin e bashkëpunimit.
Sipas gazetës spanjolle Marca, “Los Blancos” i kanë ofruar Viniciusit një kontratë me kushte të pandryshueshme, që cilësohet si një ofertë “merre ose lëre”.
Në rast të refuzimit, klubi madrilen është i gatshëm ta shesë brazilianin gjatë kësaj vere.
Vendimi i Real Madridit vjen pas muajsh negociatash pa progres, ndërsa interesimi i shtuar nga Arsenali ka bërë që klubi spanjoll të kërkojë një zgjidhje për të mos e humbur lojtarin pa përfitime financiare vitin e ardhshëm.
Rinovimi i kontratës së Vinicius mbetet prioritet për drejtuesit e Real Madridit, por klubi nuk dëshiron të prishë strukturën e pagave të vendosur për skuadrën dhe nuk është i gatshëm të bëjë përjashtime për asnjë futbollist.
Nëse braziliani refuzon rinovimin dhe nuk pranon as një transferim gjatë verës, mundësia që ai të përfundojë në bankinë nuk përjashtohet, pasi klubi madrilen duket i vendosur të mbrojë filozofinë dhe ekuilibrin e skuadrës.