Zinedine Zidane është nën presion të madh në karrigen e trajnerit të Real Madridit dhe presidenti i klubit, Florentino Perez, është gati të tentojë edhe një herë për ta emëruar në këtë pozitë trajnerin e Tottenhamit, Mauricio Pochettinon.
E përditshmja angleze, Mirror, raporton se gjiganti spanjoll do ta ketë si opsion të parë trajnerin e Tottenhamit nëse vendosin përfundimisht ta zëvendësojnë Zinedine Zidanin këtë sezon.
Trajneri i Real Madridit, Zidane, u ngrit në pozitën e dytë të La Ligës me skuadrën e tij të dielën, pas fitores si mysafir kundër Sevillas. Mirëpo, disfata e javës së kaluar në Ligën e Kampionëve, kundër Paris Saint-Germainit, i ka shqetësuar drejtuesit e klubit madrilen.
Zidane është nën presion tani dhe mediumi anglez raporton se “Los Blancos” do të tentojnë t’ia marrin Tottenhamit Pochettinon, nëse ai i jap një shenjë sado të vogël se është i interesuar për atë pozitë.
Pochettino nënshkroi kontratë pesëvjeçare në vitin 2018 dhe së fundi e ka theksuar përkushtimin e tij ndaj klubit londinez, mes spekulimeve për të ardhmen e tij në Tottenham.
Mirëpo, këto gjëra nuk priten ta bindin Real Madridin të dorëzohet, pasi që ata e kanë kërkuar Pochettinon edhe në të kaluarën dhe Perezi mbetet tifoz i madh i trajnerit argjentinas.
Real Madridit i bëri më së shumti përshtypje arritja e Pochettinos në finalen e sezonit të kaluar të Ligës së Kampionëve.