Reali në ngritje, Atletico në rënie para derbit të Madridit

Prishtinë | 31 Jan 2020 | 12:40 | Nga Ekonomia Online

Derbi i kryeqendrës së Spanjës nuk i ka zënë asnjëherë skuadrat në pozitë të pabarabartë në vitet e fundit.

Zinedine Zidane ka bërë që Real Madridi të luajë sërish si skuadër fituese, për herë të parë qëkur e ka marrë mandatin e dytë në klub në mesin e stinorit të kaluar.

Atletico Madridi, në anën tjetër, është në pikën më të ulët qëkur Diego Simeone e ka transformuar skuadrën në një sfiduese për titull, tetë vjet më parë.

Real Madridi ka 20 ndeshje pa humbje, përfshirë një fitore ndaj Atletico Madridit pas penalltive në finale të Superkupës së Spanjës më 12 janar. Fitorja 4:0 në udhëtim ndaj skuadrës së kategorisë së dytë të Spanjës, Zaragoza, në Kupën e Spanjës të mërkurën mbrëma, ishte e shtata rresht për Realin që nga pushimi dimëror, shkruan sot Koha Ditore.

Real Madridi do të presë Atleticon të shtunën në “Santiago Bernabeu” duke kërkuar të rrisë epërsinë prej tri pikëve ndaj kampiones në fuqi Barcelonës, që e pret Levanten të dielën.

Zidane udhëhoqi Real Madridin drejt tre titujve rresht të Ligës së Kampionëve, para se të jepte dorëheqje pas përfundimit të stinorit 2017-18. Ai u kthye në mesin e stinorit 2018-19, ndërsa skuadra ishte në rrëmujë pas dështimit të dy trajnerëve për të shtuar sukses. Pa golashënuesin më të mirë Cristiano Ronaldo, Real Madridi ka vazhduar të ketë momente të larta dhe rënie nën drejtimin e Zidanet, derisa më në fund ka nisur të ndezë në fillim të këtij viti.

Të ngjashme