Gara për Çmimin e Madh të Azerbajxhanit, në Baku, u mbyll përpara kohe për pilotët e skuderisë austriake të Red Bullit, pasi australiani Daniel Ricciardo, i cili ishte në ndjekje të shokut të tij të skuadrës, holandezit Max Verstappen, tentoi pa sukses ta parakalonte në fundin e xhiros së 40, përpara se të hynin në kthesën e parë të xhiros tjetër.
Max ishte përpara australianit, por ky i fundit, me një marsh dukshëm më shumë sesa shoku i skuadrës, tentoi gjithçka për të rikuperuar një vend, në duelin për vendet 4-5, pa mundur të parakalojë.
Ndonëse talenti holandez është kritikuar shpesh për agresivitetin e tij në pistë, duket se këtë radhë u bë vet prè e një sulmi të papërmbajtshëm nga kolegu Ricciardo, i cili pasi tentoi fillimisht ta mashtronte me një lëvizje, pa e trembur aspak atë që ishte përpara, ndryshoi kurs në momentin e fundit njëkohësisht me Maxin, duke përplasur njëvendëshet njëra pas tjetrës.
Pas aksidentit, në pistë hyri makina e sigurisë që vonoi kështu mbylljen e garës së Azerbajxhanit, që deri në atë moment kryesohej nga Bottas, me një ndalesë të detyrueshme në pit stop, e me Vettelin e Hamiltonin që pasonin.