Reduktime ose shtrenjtim të rrymës: Kurti kishte paralajmëruar qytetarët qysh nga dhjetori

Prishtinë | 18 Jan 2022 | 10:37 | Nga Ekonomia Online

Shtrenjtim të energjisë elektrike prej 30 deri në 40 përqind ka kërkuar KEDS nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike, mirëpo reduktime ose shtrenjtim të energjisë kishte paralajmëruar Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në muajin e kaluar.

Shtrenjtimi i energjisë elektrike dhe rikthimi i bllok-tarifave janë vetëm disa kërkesa që Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE) është duke i shqyrtuar për strukturën e re tarifore.

Në muajin dhjetor, ky institucion – pas kërkesave të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) dhe Kompanisë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) – ka nisur të bëjë shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike. ZRRE bën të ditur se tarifat që do të përcaktohen në këtë shqyrtim, do të aplikohen për një vit.

Për shtrenjtimin e rrymës kishte paralajmëruar edhe Kurti në dhjetorin e vitit të kaluar, i cili kishte thënë se ” do të ketë reduktime ose shtrenjtim të energjisë”.

“Çmimet e larta të importit janë pasojë e faktorëve të jashtëm, ndërkaq dobësimi i kapaciteteve është pasojë e shkaqeve të brendshme. Në këtë situatë nuk ka zgjidhje të mirë: ose reduktime të energjisë, ose shtrenjtim të energjisë? Shumë më herët, Kosova është dashur të mendojë më shumë e më mirë, që të mos përfundojë në këtë gjendje të keqe”, kishte thënë Kurti me 27 dhjetor të vitit të kaluar.

Propozimi i ZRRE-së është që çmimi i rrymës rritet për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kWh në muaj, ndërsa ata që shpenzojnë deri në 800 kWh ose më shumë, nuk do t’i ndihmojë as subvencioni i Qeverisë.

Në raportin e ZRRE-së propozohet që tarifa për konsumatorët me 800 kWh rrymë të shpenzuar në muaj të rritet në vlerë prej 13.31 eurosh. Ndërsa konsumatorët që shpenzojnë 1000 kwh rrymë në muaj, sipas propozimit të ZRRE-së përballen me një rritje prej 24.62 euro të çmimit të rrymës.

Kujtojmë, që konsumatorët e Kosovës aktualisht paguajnë 6.75 centë për kilovat në orë.

Ky çmim do të jetë deri më 1 prill të vitit 2022, nëse KEDS-i dhe Furnizuesit për Shërbim Universal për Energji Elektrike nuk kërkojnë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në Kosovë shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike.

Të ngjashme