Deputetja Jo Cox u vra. Një burrë u plagos. Urrejtja po hedh hije mbi referendumin në Britaninë e Madhe. Kështu nuk mund të vazhdohet
Britania e Madhe është e tronditur. Madje edhe shumë evropianë të interesuar për referendumin britanik si dhe shumë evropianë që kanë përgjegjësi në Bruksel janë të tronditur. Shtrohet pyetja: A ia vlen e gjithë kjo? Si ka mundësi që grindja politike për kursin e Britanisë së Madhe të përfundojë me një viktimë?
Vrasësi frikacak duket se ka vrarë prej urrejtjes. Ky është edhe mendimi i bashkëshortit të pikëlluar të deputetes së vrarë. Urrejtja kundër klasës politike, kundër establishmentit, kundër një përfytyrimi krejtësisht të gabuar për BE-në. Kjo nuk ishte vetëm një vrasje e poshtër dhe e pakuptimtë e një nëne, e një talenti politik. Akti është gjithashtu një sulm ndaj demokracisë në Britaninë e Madhe. Si mund të arrinte puna deri këtu?
Me një ashpërsi të rrallë, me shpifje të pabesueshme, gënjeshtra, shifra të rreme, pretendime absurde dhe taktikat frikësues, të dyja palët e kanë helmuar klimën politike. Përkrahësit e daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian përdorën Adolf Hitlerin, fantazi pushtimi dhe deklarata për orkanë refugjatësh për t’i trembur njerëzit. Kundërshtarët e Brexit-it menduan se prej daljes nga BE-ja do të rrezikohej paqja botërore, mirëqënia dhe Evropa në tërësi. Ehe ata ushqyen frikëra, por jo në mënyrë aq dramatike sa populistët e djathtë të fushatave për daljen nga BE-ja, “Leave”. Demagogu Nigel Farage i Partisë për Pavarësinë duhet të pyes veten nëse e ka tepruar.
Edhe më keq u soll partia ekstremiste e djathtë “Britania e Para” ( Britain First), parti e cila sipas faqes së saj në internet urren majtët e bardhë dhe gazetarët kritikë. Është ende e paqartë nëse vrasësi gjatë vrasjes së poshtër i është referuar partisë “Britain First”, por ka dëshmitarë që thonë pikërisht këtë. Një zëdhënës i partiës “Britain First” nuk e pati guximin që të mohonte çdo lloj lidhjeje dhe të sulmonte mediat për raportimin e tyre.
Vërtet partitë që u përkasin kampeve të ndryshme në luftën e nxehtë të referendumit në Britaninë e Madhe nuk janë ligjërisht fajtore për krimin, por ato mbajnë përgjegjësi. Përgjegjësi për atmosferën agresive që mund ta ketë nxitur autorin e krimit. Britania e Madhe ka përjetuar vrasje politike në konfliktin me terroristët irlandezo-veriorë. Megjithatë krimi i fundit ndaj një deputeti ka ndodhur para 26 vjetësh.
Edhe në Gjermani situata politike po bëhet më agresive. Dhuna e motivuar politikisht si nga spektri i djathtë edhe ai i majtë po shtohet në debatin në lidhje me politikën ndaj refugjatëve. Edhe në Gjermani ka pasur sulme të ngjashme si ato ndaj Jo Cox. Për fat të mirë kandidati i SPD-së për kancelar Oskar Lafontaine (1990), ministri i Brendshëm Wolfgang Schäuble (1990) apo kandidatja për kryetare bashkie në Këln Henriette Reker (2015) nuk gjetën vdekjen.
Pas një jave votuesit në Britaninë e Madher do të vendosin nëse duan të largohen nga BE-ja apo jo. Po a është e mundur një gjë e tillë tani? Përkrahësit e BE-së e kanë ndërprerë fushatën e tyre deri ditën e shtunë. Pas tyre këtë e bënë edhe përkrahësit e Brexit-it. Por një ditë armëpushim nuk mjafton: referendumi britanik duhet të shtyhet për disa javë, në mënyrë që të qetësohen shpirtrat, dhe që frika dhe urrejtja të mund të eleminohen nga gara elektorale.Tani duhet të bërë një hap prapa dhe të shtrohet pyetja si arritëm deri këtu? A duam vërtetë të vazhdojë kështu? Të paktën këtë Britania e Madhe ia ka tani borxh Jo Cox-it dhe familjes së saj.