Në kuadër të programit LGA – Empower, Instituti KLGI mbajti takimin e dytë të grupit tematik “Administrata dhe Reforma”. Në këtë sesion, nëpërmjet fasilitimit profesional, u diskutua mbi identifikimin e proceseve dhe sfidave me të cilat po ballafaqohet reforma e administratës publike në nivelin lokal.
Që në hyrje ishte konstatim se ligjet bazike po sfidohen nga mekanizma dhe provizione ligjore që prodhohen nga ligjet sektoriale sa i përket administratës dhe shërbimeve komunale. Mbi këtë bazë, nëse e shohim te arsimi, na dalin tri mekanizma te kontrollit: Inspektorati i Punës, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës dhe Inspektorati i Arsimit. Këta mekanizma shpesh kanë sfiduar komunat me vendime kundërthënëse për raste të veçanta të trajtimit sa i përket të punësuarve në sektorin e arsimit. Ky është vetëm një dimension që pasqyron se komunat sfidohen në vazhdimësi nga dy-kuptimësitë ligjore.
“Pavarësisht se katalogu i vendeve të punës ka krijuar një pasqyrë të gjendjes mbi pozitat dhe detyrat e shërbyesve civil, ekzistojnë paqartësi sa i përket trajtimit të tërë korpusit të të punësuarve në nivelin lokal, siç janë; stafi politik, stafi mbështetës dhe sektorët specifik (arsimi, shëndetësia). Andaj, shtrohet nevoja për kompletimin e bazës ligjore në një ligj ombrellë që do të duhej të ishte ligji për administratën publike. Ky ligj në mënyrë të qartë do të kategorizonte të punësuarit në administratë duke e bërë edhe më të qartë procesin e mbikëqyrje dhe reformës”, u theksua në këtë takim për “Adinistratën dhe Reformën”, raporton Ekonomia Online.
Edhe pse ka pasur progres në ndërtimin e një standardi të qartë nisur nga rekrutimi, detyrat, funksionet dhe vlerësimi, duhet theksuar se një proces i qartë, i organizuar mirë dhe i standardizuar në tërësi ende kërkon përpjekje të mëdha të të gjithë akterëve.
“Nëse e shohim nivelin e standardizimit të vendeve të punës, mund të themi se ende ekzistojnë paqartësi në funksione specifike, siç janë; zyrtarët kryesor financiar, auditorët e brendshëm apo personeli mbështetës se ku dhe në cilin rang duhet kategorizuar. Kjo në masë të madhe vjen si pasojë e veprimeve ad-hoc të komunave dhe institucioneve sektoriale”.
Është e rëndësishme të theksohet se kategorizimi dhe definimi i qartë, se kush është shërbyes civil dhe kush u përket kategorive të tjera, në masë të madhe do të ulte përceptimin për mbi-ngarkesat në administratë, qoftë të nivelit lokal apo qendror. Pra, shpesh flitet për një korpus të administratës prej 80 mijë të punësuarish. Nëse e shohim kategorizimin në bazë të ligjit për shërbimin civil, ky numër sillet rreth 18 – 23 mijë. Duhet bërë ndarja e qartë mes korpusit të përgjithshëm të të punësuarve në institucione dhe shërbyesve civil.
Pavarësisht këtyre fakteve, procesi është shpresë-dhënës.
Kjo, duke pasur parasysh fillimisht standardet synuese evropiane e pastaj nismat pozitive të institucioneve në procesin e reformës. Reforma si koncept dhe proces kërkon kontinuitet dhe energji, megjithatë, janë hedhur disa hapa të parë. Është tejet e rëndësishme që krahas reformës, të shtohen mekanizmat e vlerësimit, qoftë të brendshëm apo të jashtëm. E fundamentale është matja e kënaqshmërisë së shërbimeve nga qytetarët. Në funksion të kësaj shihet se shpejtë qytetarët do të kenë mundësinë që përmes formave të avancuara të vlerësimit të kontribuojnë në përmirësimin e proceseve dhe shërbimeve.
Për t’u bërë më e qartë puna administrative, shtrohet nevoja për një hartë të standardizuar të procedurave dhe përgjegjësive të mekanizmave institucional në të gjitha nivelet. Në funksion të kësaj, edhe një proces i rekrutimit transparent dhe meritor kërkon mekanizma profesional dhe të qëndrueshëm, si përpjekje për profesionalizmin, ngritjen e cilësisë së shërbimeve dhe rritjen e besueshmërisë së qytetarëve në administratë.