Instituti për Demokraci për Zhvillim (D4D) ka organizuar diskutim me temën “Reforma zgjedhore e papërfunduar: Çfarë më tutje?”. Kjo tematikë po shpërfaqë edhe më shumë ndasitë ndërmjet pozitës dhe opozitës. Edhe shoqëria civile ishte e zëshme në këtë tryezë në lidhje me financimin e partive politike.
Albulena Haxhiu përfaqësuese e Vetëvendosjes tha se nuk e përkrah një reformë të re të zgjedhjeve pasi që sipas saj Kuvendi është jo funksional për ta bërë një gjë të tillë
“Çështja më e keqpërdorur në Kosovë është reforma zgjedhore. Pas zgjedhjeve në vitin 2010 u krijuan dy komisione të cilat nuk kishin për qëllim adresimin e problemeve,e por qëllimi i zgjatjes së mandatit të asaj qeverie dhe zgjedhja e presidentes Jahjaga. Sa i përket zgjedhjeve të fundit ato dëshmuan që nuk ka problem Ligji i zgjedhjeve. Ne nuk jemi për reforme zgjedhorë në rrethana të tilla. Në rrethana aktuale kur kemi qeveri të pakicës dhe Kuvend jo funksional, është e papranueshme që ky Kuvend që nuk e ka legjitimitetin të bëjë një reformë të tillë. Ne jemi për zgjedhje të parakohshme sepse është qeveri e skandaleve,” shprehet Haxhiu.
Ahmet Isufi përfaqësues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se përkrahin idenë e një reformë zgjedhor e që sipas tij një e tillë do ta përsoste sistemin zgjedhor.
“Ka pasur iniciativa edhe më herët që të bëhet reforma zgjedhore edhe nga partitë politike. Ka ngelur reforma sepse kanë ndodhur zgjedhjet e parakohshme. Ne jemi për reformë zgjedhore sepse sa më shume që përsoset Ligji i zgjedhjeve, aq më të përsosura dalin zgjedhjet. Mangësia që na ka përcjell është mos pjesëmarrja e diasporës për zgjedhje”, tha ai.
Arsim Bajrami, përfaqësues i PDK-së tha se pikërisht tani është koha e duhur për këtë proces.
“Është një temë e përfolur po asnjëherë e përfunduar, elementi kyç është çuarja në fund e reformës zgjedhore, por ka munguar vullneti i partive, koha më e përshtatshme për këtë reformë është tani, sepse tani është një situatë e qetë. Ne si PDK mendojnë se është koha e përshtatshme në dy aspekte si substancial dhe ai përmbajtjesor. Kemi arritur standardin më të lartë me zgjedhjet e fundit” shprehet Bajrami.
Sipas tij një çështje shumë e nevojshme është zona zgjedhore.
“Problemi është a do të hapin temën e zonave zgjedhore, a do të organizojmë raportin në mes të zgjedhësve dhe të zgjedhurve, ku duhet të ketë llogaridhënie . A e dinë deputetët rolin e tyre kushtetues, shumica nuk e dinë kontratën e tyre të punës, duhet të mendohet model për të rritur llogaridhënien,” tha ai.
Enver Hoti nga Nisma Socialdemokrate tha se nëse të gjitha subjektet politike kanë vullnet politik për reformë, atëherë edhe ata do ta përkrahin.
“Është e nevojshme të bëhet një reformë zgjedhore. Mirëpo kjo kërkon vullnet politik. Bëjmë thirrje që të krijohet vullneti politik për të riinicuar reformën zgjedhore”, tha ai.
Arton Demhasaj nga Organizata Çohu ka përmendur financimin e partive politike derisa ka folur për reformën zgjedhore.
“Reforma zgjedhore nuk duhet të bazohet vetëm në ndryshimin e Ligjit të zgjedhjeve. Sa i përket financimit të partive politike është duke u ndryshuar ligji në qeveri. Mirëpo ne mendojmë që duhet të ndalet financimi i partive nga jashtë, nga bizneset sepse pastaj ato shpërblehen me tender.