Reformat në drejtësi drejt përmbushjes së zotimeve të përbashkëta

Prishtinë | 13 Pri 2022 | 15:43 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e shoqëruar nga zëvendësministri Blerim Sallahu, së bashku me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, kryetarin e Gjykatës Supreme, Enver Peci, ka marrë pjesë në punëtorinë e cila ka për qëllim hartimin e reformës në tri fusha të rëndësishme për sundimin e ligjit në vend, përfshirë draftimin e Koncept-dokumentit për Kodin e Procedurës Civile, Koncept-dokumentit për Drejtësinë Administrative dhe të Punës si dhe Reformimi i Gjykatës Supreme, përkatësisht Dhomës së Posaçme.

Në fjalën e saj hyrëse, ministrja Haxhiu ka vlerësuar angazhimin e përbashkët të institucioneve të drejtësisë me ç’rast theksoi zotimin cili është bërë me qëllim për të ngritur nivelin e bashkëpunimit dhe kontributit në mes të këtyre institucioneve për të avancuar me reformat në fushat e caktuara të sundimit të ligjit, ndër të tjera, në atë civile dhe administrative.

Ministrja Haxhiu tha se Ministria e Drejtësisë vlerëson bashkëpunimin e ofruar nga Këshilli Gjyqësor dhe Gjykata Supreme, dhe marrë parasysh obligimet që kemi ndërmarrë si institucione, jam e bindur, u shpreh ajo, se grupet punues të cilat janë themeluar për çështjet e caktuara do ta kryejnë punën me përgjegjshmëri dhe profesionalizëm.

Ministrja shtoi se mbeten të përkushtuar që duke i prioritizuar problemet të angazhohen deri në zgjidhjen e plotë të tyre duke bërë që bashkë me rezultatet e institucioneve të rritet edhe besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

Kryesuesi Zogaj, ka theksuar rendësin e këtij takimi të përbashkët, rezultatet e të cilit, tha ai, do të jenë të dukshme në çështjet që janë identifikuar me Ministrinë e Drejtësisë dhe Gjykatën Supreme. Zogaj tha së është i njohur fakti se drejtësia procedurale e sheh të nevojshme që të avancohen disa pjesë të këtij legjislacioni, përfshirë pjesën e komunikimit elektronik, pjesën e seancave, atë të barazisë në procedura gjyqësore, efikasitetit, si dhe nevoja e eliminimit të disa problematikave të cilat janë evituar gjatë praktikës gjyqësore. Më tej, Zogaj shtoi se shembulli i Drejtësisë Komerciale ka qenë reflektim për të vazhduar tutje edhe me reformimin e Drejtësisë Administrative, duke e cilësuar si të nevojshme themelimin e një Gjykate të veçantë përmes së cilës do të shkurtohen procedurat dhe seancat gjyqësore dhe në anën tjetër do të rritet efikasiteti në punë.

Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci e ka vlerësuar si moment të rëndësishëm bashkëpunimin ndërmjet institucioneve pjesëmarrëse për çështjet të cilat janë dakorduar me zotimin e arritur. Problemet në sistemin e drejtësisë, tha ai, janë evidente, dhe kontributi i Gjykatës Supreme nuk do të mungojë në adresimin dhe trajtimin e këtyre problemeve dhe sfidave me të cilat ballafaqohet sistemi i drejtësisë.

Programi i Sektorit të Drejtësisë për Kosovë i Bashkimit Evropian – Projekti EUKOJUST, ka ofruar mbështetjen e nevojshme për institucionet e drejtësisë në hartimin e Koncept-dokumentit për këto tri fusha të rëndësishme për sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe me këtë rast, përfaqësuesi nga Zyra e BE-së, Nicola Scaramuzzo, tha se reformimi i këtyre fushave kaq të rëndësishme është një mundësi shumë e mirë për të avancuar më tej dhe në mënyrë efektive kornizën ligjore dhe rregullative.

Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar për të avancuar me tej këtë bashkëpunim të mirë që ka arritur me institucionet e drejtësisë dhe partnerët strategjik, si pjesë e rëndësishme e reformave në drejtësi.

Të ngjashme