Procesi i Vettingut dhe Kodi Civil, janë dy reformat në drejtësi që mund të mbesin në gjysmë, thonë për Ekonomia Online, njohës të sistemit të drejtësisë.
E fajin për këto dështime, ia faturojnë Ministrisë së Drejtësisë që udhëhiqet nga Albulena Haxhiu.
Avokati Ardian Bajraktari, thotë për Ekonomia Online, se MD-ja është dashur të koordinohet me akterë relevantë për të kaluar Vettingun. Ndërsa kritika ka edhe për mungesën e një bashkëpunimi me KGjK-në dhe KPK-në.
“Pas miratimit, përkatësisht dhënies së dritës jeshile nga ana e Gjykatës Kushtetuese të amendamenteve kushtetuese në lidhje me procesin e Vettingut në fund të vitit që shkoi natyrisht që i është hap mundësia e realizimit të kësaj reforme. Ecuria vlerësoj që do duhej të ishte në drejtim të mirëkoordinimit të procesit nga ana e Ministrisë këtë rast përgjegjëse për drejtësi përveç hartimit të amendamenteve e cila tashmë janë përfunduar edhe janë në fazë të shqyrtimit në kuadër të Kuvendit është edhe një varg projektligjesh të cilat duhet të hartohen dhe të finalizohen e të cilat natyrisht që duhet të bëhen në konsultim dhe në koordinim të ngushtë me akterët me theks të veçantë dhe para se gjithash Këshillin Gjyqësor, Këshillin Prokurorial por natyrisht me pjesëmarrje aktive dhe konstruktive edhe të organizatave të shoqërisë civile por edhe të partnerëve ndërkombëtar vetëm kështu kam përshtypjen që do të arrihet të jetësohet një proces tepër i nevojshëm tepër i domosdoshëm në drejtim të jetësimit të reformave”, thotë Bajraktari.
Tutje Bajraktari e sheh të pamundur votimin edhe për shkak të mungesës së Listës serbe, e cila tash e sa kohë po i bojkoton seancat e Kuvendit të Kosovës. Për t’i kaluar amendamentet kushtetuese të Vettingut, kërkohen 2/3 edhe të deputetëve të joshumicës.
“Hapi i parë pas kalimit të tyre nga ana e Gjykatës Kushtetuese natyrisht që është kalimi i amendamenteve kushtetuese për kalimin e të cilave natyrisht sipas nenit 144 nevojiten 2/3 e votave e të gjithë deputeteve përfshirë 2/3 edhe të komunitetit joshumicë, gjë e cila sipas konstalacionit aktual dhe ecurisë që po zhvillohet në Kuvend, e vështirë që do mund të arrihet mirëpo çështje politike dhe shpresojmë që sa më parë të jetë e mundur të kalohen amendamentet kushtetuese, pastaj për t’i hapur dritë procesit më pastaj”, deklaroi tutje Bajraktari.
Dështim të Qeverisë Kurti reformat në drejtësi i konsideron edhe Eranda Zeka nga Instituti i Kosovës për Drejtësi. Ajo thotë se ende nuk ka përfunduar procesi i miratimit dhe drafitimi i projektligjeve.
“Përgjithësi zhvillimin e të gjitha reformave qoftë në drejtësinë penale civile apo administrative e shohim pra si dështim të qeverisë Kurti në kuptim të asaj se ende jemi në proceset e miratimit të projektligjeve por edhe draftimet e tyre në rastin ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, shohim pra tre vite të humbura në kuptim të asaj se ky ligj tashmë do duhej të ishte i miratuar dhe të mund të bëj edhe reforma në këtë këshill në përputhje me opinionin e komisionit të Venecias dhe vetë vendimi pastaj të Gjykatës Kushtetuese por që ende nuk kemi një projektligj në përputhje me këtë vendim dhe me opinionin e komisionit të Venecias, andaj do duhej pra edhe në qoftë se i njëjti do të miratohej në vitin 2024 do duhej së paku dy, tre vite derisa të bëhej reforma e plotë dhe kjo do të ndodhte jashtë pra mandatit të qeverisë Kurti”, u shpreh ajo.
Kritika për dështim, Zeka ia faturon edhe mungesës së vullnetit politik për të votuar Kodin Civil, të cilin e konsideron si jetike dhe të rëndësishme pas Kushtetutës.
“Përveç kësaj kemi edhe reforma tjera në sistemin civil pra e kemi edhe situatën e kodit civil, edhe kjo pra që kemi një mungesë të vullnetit politik fillimisht nga Qeveria në atë se ende nuk kemi pra miratim të kodit civil, duke marrë parasysh rendësin e madhe të këtij kodi duke qenë se është menjëherë ligji i rëndësishëm pas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe miratimi i tij do duhej të ndodhet sa më shpejtë, dhe këtu paraqitet pra ajo problematika sepse vullneti politik nuk ekziston në kuptim të krijimit të takimeve me grupet parlamentare në kuptim të asaj që të drejtohet sa më shpejtë dhe të miratohet ky kod, përveç kësaj kemi edhe problematika të shumta sa i përket reformës administrative sepse vetëm tani është miratuar ligji për Gjykatën administrative dhe kjo reformë pra ka has probleme të shumta gjatë rrugës sepse kemi vite të shumta prej kur kjo reformë ka pas qëllimin e saj që të arrijë një epilog të saktë”, u shpreh Zeka.