Më shumë se 1 milion vetë kërkuan në dy vitet e fundit azil në Gjermani. Por çfarë thonë statistikat mbi veprat penale të tyre? Një temë e ndjeshme e krahasime jo edhe aq të lehta.
Para dy javësh një burrë ka përdhunuar një 23-vjeçare në Bonn, e cila ndodhej në një çadër me të dashurin e saj. Autori i dyshuar: Një azilkërkues nga Gana. Raste të tilla, së bashku me sulmet masive seksuale ndaj vajzave, Natën e Vitit të Ri, 2015 në Köln ndezin një debat të madh mediatik. Krijohet përshtypja, se numri më i madh i refugjatëve në Gjermani ka sjellë edhe rritjen e kriminalitetit.
Shtohen veprat penale të refugjatëve
Përgjigja nuk është e lehtë, sepse edhe përcaktimi i nocionit nuk është i lehtë: Në raportin e fundit të Zyrës Federale të Policisë Kriminale (BKA) mbi kriminalitetin dhe emigrantët, bëhet fjalë për të ardhur, dhe ata përshkruhen si azilkërkues, për persona që kërkojnë mbrojtje, apo ata që kanë marrë azil, si edhe persona që janë pjesë e një kontigjenti refugjatësh, viktima të luftërave civile, apo persona që nuk kanë të drejtë qëndrimi.
Sipas Zyrës Federale janë regjistruar 300.000 raste, në të cilat të paktën është arrestuar një i ardhur i tillë, i dyshuar për vepër penale. Megjithëse në vitin 2016, në tërësi janë shënuar më pak vepra penale, është rritur dukshëm numri i emigrantëve që kanë kryer vepra penale.
Megjithatë kriminologu, e ish-ministri i Drejtësisë së Saksonisë së Poshtme, Christian Pfeiffer thotë se është e vështirë të bëhet një lidhje e drejtpërdrejtë mes refugjatëve dhe rritjes së kriminalitetit. Sjellja e refugjatëve varet shumë nga shanset e qëndrimit. Kjo i bën disa grupe të bien më shumë në sy për vepra penale. “Këtu kemi për shembull afrikanoveriorët, që pas ardhjes në Gjermani e kuptojnë, se nuk kanë shans qëndrimi”, thotë Pfeiffer. “Ata janë shpesh të zhgënjyer, të zemëruar, dhe sillen si Natën e Vitit të Ri në Köln. Mbi ta rëndon presioni të fitojnë para, prandaj ata gjejnë mënyra të fitojnë para me punë ilegale ose përmes veprash penale”, shton Pfeiffer.
Arsyet e vërteta
Sipas Pfeiffer studimet thonë, se refugjatët nga Iraku dhe Siria kanë kryer më pak vepra penale, sepse nuk duan të rrezikojnë shanset e qëndrimit. Një kërkesë e refuzuar azili nënkupton mos-qasjen në kurset e gjuhës e integrimit. „Kjo bën të krijohet një shoqëria me klasa mes refugjatëve, ata që kanë dhe ata që nuk kanë perspektivë”, thotë Pfeiffer.
Por edhe ata që kanë shanse qëndrimi përfshihen në aktivitete kriminale, kur detyrohen të qëndrojnë me shumë të tjerë në strehimore masive, nganjëherë me njerëz nga grupet e konfliktit në vendlindje, shton kriminologu.
Mosha mesatare e shumicës së refugjatëve të ardhur është nga 14-30 vjeç. Sipas Pfeiffer, kjo është mosha kryesore ku kryhen vepra penale. „Një grup i vogël mund të jetë në çdo pjesë të botës i rrezikshëm. Djem të rinj nga mosha 14-30 vjeç. Ata kryejnë 70% të veprave penale. Po ashtu 37% e refugjatëve janë burra, kjo e bën më të lartë përqindjen e kriminalitetit mes refugjatëve.
A ka rrezik që lidhja mes refugjatëve e kriminalitetit të shkaktojë një “racial profiling”, pra hetime vetëm për shkak të prejardhjes, pamjes apo emrit? Për këtë është diskutuar mjaft në Gjermani, sidomos pas Natës së Vitit të Ri, 2016, kur policia ndau një pjesë të personave pjesëmarrës në festimet e Kölnit, për të kryer kontrolle. Sipas Pfeiffer nuk bëhet “racial profiling”, sepse ky nuk është qëllimi kryesor, por “policia duhet të dijë të veprojë me të dyshuarit e të regjistrojë, që ata lidhen me këtë grup njerëzish, që ndodhen në një situatë të vështirë krize.”
Pfeiffer thotë, se faktet flasin vetë. “Refugjatët nuk janë njerëz më të këqij, por në strukturën sociale ata janë të vendosur në një pozicion tjetër. Statistikat tregojnë, se çfarë është denoncuar nga të tjerët, e shumë pak nga përvoja e policisë.” Duhet të vërehet, se ankimet për të huajt, janë më të shpeshta, se për vendasit. “Kur Maksi sulmohet nga Moritzi, shanset që kjo të dalë në statistikat e policisë janë 19%, ndërsa nëse Maxi sulmohet nga Mehmeti, shanset e daljes në statistika janë 29%”, thotë Pfeiffer.