Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka refuzuar si të pa bazuar ankesën e Prokurorisë Speciale në rastin e të akuzuarve H.H.,H.M. dhe A.R.
Sipas aktgjykimit H.H. dhe H.M. janë liruar nga akuza për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo i autoritetit zyrtar në bashkëkryerje” ndërkaq A.R. për “Falsifikimi i dokumenteve në bashkëkryerje”, njofton Gjykata e Apelit, përcjell Klan Kosova.
Klan Kosova merr vesh se bëhet fjalë për Hysni Hoxhën, ish-kreu i Organit Shqyrtues të Prokurimit, ekspertit shqyrtues në OSHP, Hysni Muhadrin dhe kontabilistin Arsim Robelli.
“Ky vendim ishte marrë pasi që gjykata e shkalles se parë kishte konstatuar, se më provat e proceduara në seancën e shqyrtimit gjyqësor, nuk është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilat janë akuzuar”.
“Këtë konstatim e përkrah edhe Gjykata e Apelit, e cila po ashtu nuk gjen ndonjë shkelje nga ato që pretendohen në ankesën e prokurorisë”.