Gjykata në Ankara ka refuzuar sot ankesën e fondacionit Wikimedia, në kuadër të së cilës vepron Wikipedia, që ka të bëjë me ndalesën e qasjes së kësaj faqeje të internetit në Turqi, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Transportit, Detarisë dhe Komunikacionit e Republikës së Turqisë nga fundi i muajit të kaluar bllokoi qasjen online për enciklopedinë Wikipedia, për shkak të një artikulli dhe komenti, ku Turqinë e ka vendosur “në nivel të njëjtë me organizata të ndryshme terroriste, dhe ku përfshihen pretendimet se ky vend bashkëpunon me terroristë.”
Sipas informacioneve të Ministrisë turke, Wikipedia-s i është dërguar paralajmërim që të heq këtë artikull dhe koment, ku Turqia barazohet me organizata të ndryshme terroriste dhe e akuzon për bashkëpunim. Zyrtarët turq theksojnë se kanalet e komunikimit me Wikipedia-n kanë qenë në mënyrë konstante të hapura, por kryesia e enciklopedisë online nuk ka treguar vullnet që përmbajtja kontestuese të hiqet.
“Wikipedia në vend që të luftojë kundër terrorizimit, është bërë burim i informacionit për qarqe që bëjnë fushatë kundër Turqisë në planin ndërkombëtar. Për këtë shkak është dërguar kërkesë që të bllokohet qasje në këtë faqe”, porositet nga Ministria në fjalë.
Kur të hiqen përmbajtjet kontestuese lidhur me Turqinë, qasja në këtë enciklopedi do të jetë sërish e hapur.