Në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere ka raportuar ministri i Financave, Hekuran Murati si dhe përfaqësues të Agjencisë së Statistikave të Kosovës lidhur me regjistrimin e popullsisë, raporton Ekonomia Online.
Gjatë raportimit në Komision Murati tha se për shkak të pandemisë dhe zgjedhjeve regjistrimi i popullsisë mund të shtyhet në pranverën e vitit të ardhshëm.
“Sa i përket regjistrimit të popullsisë ka qenë e paraparë të ndodhë çdo 10 vite, është problematike që të ndodh sivjet pasi që edhe zgjedhjet lokale, dhe kjo mund të mbahet vitin e ardhshëm në pranverë”.
Nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, Ilir Berisha tha se kanë filluar përgatitjet që nga viti 2018 në mënyrë që të ketë sukses në procesin regjistrimit të popullsisë.
Ai tha se buxheti është i planifikuar mirëpo që nuk flitet vetëm për regjistrimin e popullsisë, por përfshin edhe projektet me vlerë mbi 12 milionë euro.
“Agjencia është duke realizuar të gjitha aktivitetet përpos aktiviteteve është duke realizuar përgatitjet për regjistrimin e popullsisë që kanë filluar në vitin 2018.Ky plan është ndarë në katër faza, formimi i grupit punues, buxheti, operimi në terren”.
“Sfida për regjistrimin e popullsisë është data e regjistrimit, regjistrimi nuk duhet të jetë në ngjarje të mëdha politika sic janë fushatat dhe mos të ndodh në kohë të fatkeqësive natyrore. Buxheti është i planifikuar për regjistrim nuk flitet, mirëpo prej fillimit buxheti mbi 12 milionë”.
Deputeti nga PDK-ja Bedri Hamza tha se do të ofrojnë mbështetjen për Qeverinë pasi që është proces i rëndësishëm, derisa ka shtuar se e rëndësishme është që regjistrimi të ndodh për të gjithë qytetarët.
“Regjistrimi është proces i rëndësishëm dhe ne si kuvend do ti japim mbështetje qeverisë mirëpo është e rëndësishme që të ndodhë për të gjithë qytetarët e Kosovës, sa i përket buxhetit besoj që ministri do ta ketë mirëkuptimin e plotë”.
Edhe deputetja Duda Balje theksoi që regjistrimi duhet të ndodhë edhe për komunitetet jo shumicë, pasi që herën e fundit serbët në veri e patën refuzuar këtë proeces, raporton EO.
Deputeti nga radhët e AAK-së Pal Lekaj tregoi disa nga sfidat që do të hasin gjatë këtij procesi.
“Sfida më e madhe është shtrirja në tërë territorin e Kosovës, sfidë tjetër është që ne hyjmë në dialog dhe ju e përmendet stabilitetin politik”.
Kuvendi ka kursyer rreth 97 mijë euro
Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka shqyrtuar edhe raportin e Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2021.
Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, tha se rreth 97 mijë euro kanë kursyer sa i përket shërbimeve të deputetëve.
“Kursimet për shërbimin e deputetëve janë 97 mijë euro. Te kategoria mallra dhe shërbime ne kemi startuar me vonesë të konstituimit të Kuvendit po ashtu nuk kemi pasur udhëtime jashtë vendit”.
Auditori Osmani kritikohet për mosauditim të RTK-së
Kritika nga deputetët e VV-së ka pasur edhe për mosauditim të RTK-së për pasqyrat financiare, nga ZKA-ja.
E për këtë Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani tha se Ligji parasheh që të auditohen vetëm organizatat buxhetore, derisa tha se është krenar për punën e tij.
“Unë kam auditur brenda vitit 15 ndërmarrjet publike, sapo ta marr zyrtarisht shkresën nga Kuvendi do të njoftoheni me hapat, unë jam auditor në largim dhe po mundohem që të mbaj funksionet themelore derisa institucioni t’i kryen punët e veta”.
Deputeti i LDK-së Avdullah Hoti tha se Auditori duhet të kursehet pasi që ka bërë një punë të shkëlqyer në mandatin pesë vjeçar.
“Sa i përket kompetencave për të audituar organizata të ndryshme është shumë i qartë, ballafaqimi që ka pasur zyra e Auditimit me RTK-në nuk është mirë që ta qesim në asi pozite”.
Deputeti i PDK-së Bedri Hamza ka kërkuar nga kryetari i Komisionit Armend Muja që të respektohet rregullorja e punës, raporton EO.