Regjistrimi i popullsisë, zëvendësministrja tregon sa mërgimtarë janë regjistruar deri tash

Prishtinë | 01 Maj 2024 | 11:32 | Nga Ekonomia Online

Rreth 300 mijë mërgimtarë janë regjistruar deri tash në procesin e regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, që ka filluar nga 5 prilli e do të zgjasë deri më 17 maj.

Kështu ka deklaruar zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, e cila tha se të njëjtit janë regjistruar në kuadër të platformës e-diaspora, por edhe regjistrimit fizik.

Ajo tha se si Qever janë shumë të fokusuar që të gjitha politikat që ndërtojnë për të ardhmen, të jenë të bazuara në të dhënat që do të dalin nga ky proces.

“Po është e vërtetë që Kosova për herë të parë ka filluar regjistrimin e popullsisë dhe pjesëtarëve të diasporës jashtë vendit. Brenda këtyre ditëve sa ka filluar procesi, që ka filluar në datën 5 prill dhe do të vazhdojë deri në 17 maj, ne kemi rreth 300 mijë pjesëtarë të diasporës të cilët janë regjistruar në kuadër të platformës e-diaspora dhe regjistrimi fizik. Kështu që, për fillimet e para, ky proces është duke vijuar shumë mirë dhe synimi jonë është që të gjejmë forma të informojmë qytetarin tanë brenda dhe jashtë vendit rreth procesit dhe rëndësisë së procesit sepse është një proces shumë i rëndësishëm dhe jetik për Republikën e Kosovës sepse me një format përcakton politikat tona për 10 vitet e ardhshme. Si qeveri e Republikës së Kosovës jemi shumë të fokusuar që të gjitha politikat që ndërtojmë për të ardhmen të jenë të bazuara në të dhëna dhe këto të dhëna na kanë munguar për një kohë jashtëzakonisht të gjatë, sidomos në fushën e diasporës, që është një prej dikastereve i ndërlidhur me Ministrinë e Punëve të Jashtme”, ka deklaruar Gashi në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Gashi ka ftuar të gjithë mërgimtarët që ende s’janë regjistruar, që ta bëjnë këtë duke thënë se u merr kohë 10 minuta.

“Prandaj unë po shfrytëzoj edhe një herë rastin t’u kërkoj të gjithë bashkatdhetarëve që të regjistrohen në kuadër të e-diasporës sepse përmes regjistrimit ose përmes dedikimit të 10 minutave kohë në kuadër të platformës ata na japin një mundësi të mirë të ndërtojmë politika të qëndrueshme mbi bazën e të dhënave të tyre”, ka thënë Gashi.

Të ngjashme