Regjistrohet viktima e shtatë nga ethet e Nilit Perëndimor në Maqedoninë e Veriut

Prishtinë | 03 Sht 2026 | 14:34 | Nga Ekonomia Online

Ditët e fundit është regjistruar rasti i shtatë i vdekjes nga ethet e Nilit Perëndimor në Maqedoninë e Veriut.

Ministri i Shëndetësisë në këtë shtet, Sasho Klekovski, ka thënë bëhet fjalë për pacientin që për 38 ditë kishte qëndruar i hospitalizuar.

“Kemi edhe një rast të ri të dyshimtë gjatë këtyre tri ditëve. Gjendja me pacientët e hospitalizuar është e njëjtë, besoj se janë 19 pacientë, pasi kemi vetëm një rast të ri të dyshimtë”, ka thënë ai.

Personi i fundit që humbi jetën nga ethet e Nilit Perëndimor ishte një 69-vjeçar nga Komuna e Gazi Babës në Shkup.

“Praktikisht, gjatë kësaj jave, në ditët e fundit, që nga fundjava e këndej, të gjitha rastet e reja janë nga Shkupi i Veriut. Për këtë është diskutuar tashmë me kryetarët përkatës të komunave, që t’i kushtojnë vëmendje aktiviteteve atje”, ka thënë Klekovski.

I pyetur pse të gjitha rastet fatale nga ethet e Nilit Perëndimor në vend janë meshkuj, Klekovski ka thënë se studimet tregojnë se sëmundja dhe vdekshmëria nga forma neuroinvazive janë më të larta te meshkujt.

“Sëmundja te ne është 3.7 me 1 në raport meshkuj me femra. Kjo është karakteristikë demografike. Dy gjendje të tjera lidhen ndjeshëm me sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë: insuficienca kronike e veshkave ose sëmundja kronike e veshkave, si dhe incidentet e mëparshme cerebrovaskulare, pra goditjet në tru dhe hemorragjitë”, ka thënë ai.

Të ngjashme