Kevin Prince Boateng është njeriu i rekordeve. Futbollisti ganez ka fituar trofe në katër ligat më të forta evropiane, në Angli, Spanjë, Itali dhe Gjermani
Kevin Prince Boateng e ka shkruar emrin e tij në histori të futbollit.
Futbollisti ganez në fakt e ka fituar së paku një trofe në të gjitha shtetet ku ka luajtur deri tash.
Ndoshta edhe për këtë motiv, në janar, kur Barcelona i kërkoi ta lëshonte Sassuolon për t’u rikthyer në Spanjë, nuk kishte menduar dy herë.
Oferta, natyrisht ishte e parefuzueshme, por Prince në pak muaj në fanellën gjelbër e zi ishte rikthyer në lojtar kryesor të De Zebrit, i cili e vendoste në fushë si qendërsulmues.
“Jam Cristiano Ronaldo i Sassuolos”, qeshte futbollisti në intervista, për ta marrë më pas ofertën e jetës, atë të transferimit në “Camp Nou”.
Spanja ishte vendi i vetëm ku nuk kishte fituar trofe, në turneun e tij nëpër Evropë gjatë karrierës.
Dhe, jo rastësisht ai i flet gjashtë gjuhë.
Ai shkoi në Barcelonë për të fituar trofe, pasi është lindur si fitimtar.
Anglia
Kapitulli i fundit i karrierës së Boateng e kujton shumë fillimin e tij.
Në Barcelonë nuk ka luajtur mjaftueshëm pasi ka përpara yje si Messi, Coutinho, Suarez e Dembele.
Boateng ka zhvilluar vetëm dy ndeshje në La Liga.
Por, njëjtë ishte treguar i suksesshëm edhe me Tottenhamin, në vitin 2008.
Ishte etapa e tij e parë në xhiron për në Evropë.
Atje, Boa e kishte fituar trofeun e parë: në sezonin e parë në Premierligë e kishte fituar Kupën e Ligës së Anglisë kundër Chelseat, por atje nuk e kishte një rol protagonisti.
Suksesi në Milan
Pas një periudhë të shkurtër rikthimi në Gjermani, tek Borussia Dortmund, ganezi u rikthye në Premierligë, tek Portsmouthi, ku me paraqitjet e tij bëri që Milani ta transferonte në vitin 2010, përmes Genoas.
Tek “Rossoneri”, trajneri Massimiliano Allegri e kishte vendosur në mesfushën me tre, ndërsa më pas prapa sulmuesve.
Lojë pas loje, Prince ishte bërë mjaft i rëndësishëm për ta fituar titullin e 18-të në Serie A, ndërsa e kishte fituar përfundimisht zemrën e tifozëve “Rossoneri”.
Festa e titullit ishte e veçantë pasi Boateng kishte vallëzuar në stilin e legjendës Michael Jackson.
Pak muaj më pas ai e kishte fituar edhe Superkupën e Italisë pasi e kishte mposhtur Interin.
Kishte shënuar tregolësh të jashtëzakonshëm ndaj Lecces, ndërsa shënonte eurogola edhe kundër Barcelonës dhe Arsenalit.
Ai u shit më pas në Schalke edhe pse kishte shënuar dygolësh në fazën preliminare të Championsit kundër PSV Eindhovenit. Ky ishte një lajm shokues.
Rekord dhe rikthim
Rikthimi në Gjermani fillimisht ishte traumatizues, me Schalken kishte shënuar 7 gola në 60 ndeshje dhe për këtë kishte vendosur të rikthehej në Milan, ku megjithatë gjithçka kishte ndryshuar.
Nuk ishin më Ibra, Thiago Silva dhe yjet tjerë. Pas një viti, Boa nuk dukej i aftë për t’ju shkaktuar më probleme mbrojtjeve kundërshtare si në kohërat e vjetra dhe e kuptoi se ishte koha për të ndryshuar.
Ai iu bashkua ekipit Las Palmas në La Liga.
Prince e riktheu përsëri formën duke shënuar 10 gola në 28 ndeshje dhe për të ky ishte një rekord.
Ai kishte shënuar qysh në debutim kundër Valencias.
Aty e kishte thyer rekordin duke u bërë lojtari i vetëm aktiv që ka shënuar gol në katër ligat më të forta evropiane, Serie A, Premieligë, Bundesliga dhe La Liga.
Dhe, në fund të sezonit, Boa ndryshoi përsëri.
U rikthye në Gjermani, këtë radhë tek Eintracht Frankfurt, ku e fitoi Kupën e Gjermanisë kundër Bayernit dhe kështu e pasuroi vitrinën e tij me trofe.
Ëndërron “Tripletën”
Dhe tash, pasi u rikthye në Spanjë, Boateng mund ta ëndërrojë “qershinë mbi tortë”.
La Liga, respektivisht objektivi i parë, është realizuar dhe tash pret që me gjigantin katalunas ta fitojë Copa del Rey kundër Valencias në finale, e mbi të gjitha ta kalojë Liverpoolin në gjysmëfinale të Championsit dhe më pas ta fitojë këtë trofe.
Në mendjen e Boatengut është “Tripleta”, e cila do ta kurorëzonte një karrierë të jashtëzakonshme të tij.