Rektorët e Universiteteve Publike kanë reaguar pas përjashtimi të Agjencisë Kosovare për Akreditim nga Asociacioni Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA). Rektorët kanë deklaruar se përjashtimi i AKA’së nga ENQA është goditje për gjithë arsimin e lartë, sidomos për studentët, shkruan Gazeta Express.
Përmes një komunikate drejtuar mediave, ata kanë dalë në përfundim se deri te përjashtimi i Agjencisë për Akreditim nga ky institucion ka ardhur si pasojë politikave të gabuara në arsim.
Ndikim tjetër në përjashtim, sipas tyre ka pasur edhe mungesa e komisionit të ankesave pranë Këshillit Shtetëror të Cilësisë.
KSHC’ja në vazhdimësi ka qenë e ndikuar prej politikës. Vendimi i ENQA’së është pasojë e degradimit të AKA’së dhe dobësimit të potencialit profesional në AKA, pasojë e tendencës për ta shndërruar arsimin e lartë në biznes dhe në vegël politike. Konsiderojmë se ENQA i ka dhënë kohë të mjaftuar KSHC’së që të stabilizohet por KSHC’ja ka dështuar në këtë aspekt. Mungesa e komisionit të ankesave pranë KSHC’së është njëra prej arsyeve që ka ndikuar në vendimin e ENQA’së. IPAL’i nuk ka pasur mundësi që ankesat e tyre për moskareditim të programeve të caktuara t’i adresojë pranë komisionit të ankesave, meqë ky komision nuk ishte funksional, pas dorëheqjes kolektive të anëtarëve të komisionit”, thuhet në komunikatën e tyre drejtuar mediave.
Ndryshe, Agjencia e Kosovës për Akreditim është përjashtuar nga Asociacioni Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) më 19 shtator të këtij viti.
Bordi i ENQA-s mori këtë vendim dhe ku thuhet se se Agjencia nuk i ka përmbushur rregullat europiane.
Këto arsye përfshijnë “mungesën e konsensusit të gjerë në arsimin e lartë lidhur me rolin dhe aktivitetet e agjencisë”.Tutje, ata përmendin mungesën e resurseve njerëzore dhe financiare për të realizuar aktivitetet e AKA.