Edhe pse Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është institucion publik autonom i arsimit të lartë, Senati i UP-së është dashur të mos e miratojë Rregulloren për avancime akademike javën e kaluar, meqë e kanë marrë një kërkesë të tillë nga ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Shyqiri Bytyqi.
Përmes kërkesës drejtuar rektorit Marjan Dema, ministri ka kërkuar që organet e UP-së të mos aprovojnë dokumente që lidhen me avancimet akademike me arsyetimin se MASHT-i është duke hartuar një udhëzim administrativ që do të adresojë çështjet e punimeve shkencore në nivel vendi, shkruan sot Koha Ditore.
Një kërkesë të tillë rektori e ka quajtur ndërhyrje në punën e Universitetit të Prishtinës dhe ka thënë se nuk ka informata për përmbajtjen e këtij udhëzimi administrativ.
I kontaktuar nga gazeta, ministri nuk është përgjigjur rreth kësaj kërkese drejtuar UP-së, derisa këshilltari i tij, Valmir Gashi, e ka arsyetuar duke thënë se kjo është bërë pasi MASHT-i është në finalizim të udhëzimit që do të merret me avancime akademike.
Pjesëtarë të shoqërisë civile nxjerrjen e udhëzimit nga MASHT-i e kanë arsyetuar, duke thënë se Ministria ka të drejtë përmes udhëzimit të definojë se çfarë janë revistat me recension ndërkombëtar, por nuk kanë komentuar nëse përbën ndërhyrje kërkesa zyrtare e ministrit drejtuar rektorit, që Senati të mos miratojë dokumente për avancime.