Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, ka shprehur ngushëllime familjes së profesorit Mehdi Rracit, i cili u nda dje nga jeta.
Dema shkruan se Mehdi Rraci dha kontribut të pashoq edhe në ngritjen e infrastrukturës fizike me objekte në kuadër të universitetit.
Ai e quajti Rracin veteran i arkitekturës kosovare, ku sipas tij tërë potencialin e tij akademik e profesional, me vite të tëra e orientoi në edukimin e gjeneratave të reja.
Telegram ngushëllimi i plotë i rektorit Dema:
E nderuara familje Rraci,
Me pikëllim e pranuam lajmin për ndarjen nga jeta të profesor Mehdi Rracit.
Profesori Mehdi Rraci, veteran i arkitekturës kosovare, tërë potencialin e tij akademik e profesional, me vite të tëra, e orientoi në edukimin e gjeneratave të reja këtë lëmi.
Për vite, profesor Rraci e udhëhoqi Departamentin e Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, me përkushtim dhe angazhim të pakursyer. Ai dha kontribut të pashoq edhe në ngritjen e infrastrukturës fizike me objekte në kuadër të universitetit.
Prof. Mehdiu do të kujtohet edhe për punën e tij të palodhshme në proceset edukative. Përveç si njohës i fushës së arkitekturës, profesor Rracin do ta kujtojmë edhe si personalitet, i cili me korrektësinë dhe pedanterinë e tij në punë, ishte shembull për studentët, kolegët dhe të tjerët që e njohën dhe bashkëpunuan me të.
Në këto momente pikëllimi e dhimbjeje, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Rraci, shokëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të profesor Mehdiut!