Nga Maria Chiara Guanti
Jetojmë në një shoqëri që duket se bazohet tek ideali i përsosmërisë. Bombardohemi çdo ditë me “imazhe” të përsosmërisë: trupa të përsosur, ushqime me një pamje të përsosur, njerëz që shfaqen gjithnjë të lumtur dhe të kënaqur, familje që duket se nuk kanë probleme, marrëdhënie në çift pa asnjë keqkuptim dhe grindje, shtëpi të mobiluara në mënyrë perfektedhe gjithnjë të rregullta, e kështu me radhë.
Rrjetet sociale dhe reklamat, si dhe mediat në përgjithësi përcjellin vazhdimisht modele të përsosmërisë. Përballja çdo ditë me imazhe të tilla, mund të na nxisë që t’i konsiderojmë ato si ideale që duhen arritur, por le të mos mashtrohemi. Mund të jemi të papërsosur. Pse?
Sipas përkufizimit të një fjalori të famshëm, përsosmëria mund të përkufizohet si “mungesa e defekteve”. Kjo na bën të kuptojmë se përsosmëria nuk është në fakt pjesë e natyrës njerëzore. Në fakt, si qenie njerëzore, ne jemi që të gjithë të papërsosur: asnjë qenie njerëzore nuk është i paprekshëm nga ato që mund t’i përkufizojmë si “papërsosmëri”, si nga pikëpamja fizike ashtu edhe nga pikëpamja e karakterit.
Që nga fëmijëria, secili prej nesh ka bërë shumë gabime. Bërja e gabimeve apo kontakti me papërsosmërinë e dikujt, mund të sjellë përvoja negative, të cilat mund të na nxisim të vëmë në dyshim disa nga aftësitë tona, dhe mund të na detyrojë të ndihemi si të gabuar ose të papërshtatshëm.
Rrjetet sociale, sidomos disa prej tyre, janë të populluara nga influencues por edhe njerëz të zakonshëm që tregojnë vazhdimisht mbi jetën e tyre, e cila na duket gjithmonë e përsosur dhe pa asnjë papërsosmëri. Në realitet, asnjëri prej tyre nuk shfaqet në rrjet 24 orë të ditës, dhe kjo duhet të na bëjë të kuptojmë se si këta njerëz, tregojnë në shumicën e rasteve vetëm atë që kanë ndërmend të tregojnë.
Për shembull një familje apo çift i lumtur, mund të shfaqet kështu në një video disa sekondëshe, por vështirë se do të jetë kështu gjatë gjithë kohës (mendoni pak për përvojën tonë të përditshme, por edhe atë të miqve dhe familjes). Për më tepër, edhe mënyra se si shfaqet përmbajtja në rrjetet sociale nuk është gjithmonë e qartë dhe e vërtetë.
Përveç “filtrave” të famshëm, të cilat i përdoret shumë prej këtyre influencuesve, ka edhe aplikacione për modifikimin e fotove dhe videove, ndriçim profesional, madje edhe “truket” për t’u dukur ndryshe nga sa jeni në të vërtetë. Madje tani ka disa influencues që informojnë ndjekësit për përdorimin e filtrave dhe pozave specifike, dhe që përpiqen të tregojnë se si ato shpesh nuk përputhen me realitetin.
Fitimi i vetëdijes se përsosmëria nuk i përket qenies njerëzore, mund të na nxisë të mendojmë se nuk ia vlen të përmirësohemi. Por nuk është aspak kështu. Meqë secili prej nesh është i papërsosur, një strategji e mirë për t’u përballur me jetën mund të jetë të përpiqemi të kuptojmë papërsosmëritë tona.
Vetëm duke u nisur nga vetëdija se cilat janë papërsosmëritë dhe dobësitë tona, ne mund të nisim që të përmirësohemi. Pasi të kemi njohur kufizimet tona dhe t’i pranojmë ato, ne mund të zhvillojmë strategji efektive për të përmirësuar veten duke i kapërcyer ato në disa raste, duke i pranuar dhe duke mos u përpjekur të modifikojmë papërsosmëritë tona.
Injorimi i kufizimeve dhe i papërsosmërive tona, nuk do të ishte një strategji e dobishme, pasi nëse ndodh kjo, nuk do të ishim vërtet në gjendje që të përmirësonim veten. Pra, le të mos dëshpërohemi nëse bëjmë gabime apo zgjedhje të gabuara, nëse nuk dukemi të përsosur, por njerëzorë.
Gjëja më e rëndësishme është që dalë-ngadalë të shihni dhe të kuptoni limitet tuaja, dhe tëpërpiqeni të përmirësoheni, edhe nëse nuk keni domosdoshmërisht sukses dhe mbi të gjitha, nuk është e thënë që të keni menjëherë sukses.