Brazili e ka shënuar shifrën më të lartë ditore të viktimave të coronavirusit që nga fillimi i përhapjes, duke e shtyrë presidentin amerikan, Donald Trump, që ta shqyrtojë mundësinë e ndalimit të udhëtimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe këtij vendi.
Të martën, për 24 orë vdiqën 1,179 pacientë dhe numri i përgjithshëm i viktimave shkoi në 17,971. Kjo ishte shifër rekorde, pasi shifra më e lartë ditore para kësaj ishte regjistruar më 12 maj, kur kishin vdekur 881 njerëz.
Shifrat e reja u publikuan në kohën kur po paralajmërohet se disa qytete të mëdha të Amerikës Latine janë në rrezik që të përfshihen nga një numër jashtëzakonisht i lartë i rasteve. Më shumë se 85 për qind e shtretërve në repartet e kujdesit intensiv janë të zënë në Rio de Janeiro dhe Sao Paulo.
Të hënën, Brazili ia zuri vendin e tretë Britanisë së Madhe në listën e shteteve me më së shumti persona të infektuar me coronavirus.
Presidenti Brazilian, Jair Bolsonaro, i cili është një aleat ideologjik i homologut amerikan, Donald Trump, është kritikuar për mënyrën e menaxhimit të situatës së pandemisë, ku është përfshirë edhe kundërshtimi i masave kufizuese, të cilat ai i cilëson si shumë të dëmshme për ekonominë, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
Ndryshe, Banka Botërore të martën paralajmëroi se 60 milionë njerëz mund të preken nga varfëria ekstreme si rezultat i pandemisë dhe tha se pret tkurrje prej 5 për qind të ekonomisë globale gjatë këtij viti, me ç’rast efektet më të rënda do të jenë në shtetet më të varfra.