Rëndohet gjendja në ShBA, mbi 2,400 të vdekur e mbi 26 mijë të infektuar për një ditë

Prishtinë | 22 Pri 2020 | 10:04 | Nga Ekonomia Online

Numri ditor i viktimave të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara ka arritur në nivelin më të lartë në gati një javë pasi 2,474 persona vdiqën gjatë 24 orëve të kaluara.

Deri të mërkurën në mëngjes, 45,435 amerikanë kanë vdekur nga koronavirusi që nga fillimi i pandemisë muajin e kaluar, shkruan “Daily Mail”.

Vetëm për një ditë, në këtë shtet u regjistruan 26,558 raste të reja të infektimit dhe kështu shifra e përgjithshme e të prekurve shkoi në 827,093.

Këto shifra i vendosin Shtetet e Bashkuara bindshëm në vendin e parë në botë, para Italisë, Spanjës e Francës.

Instituti për Matje dhe Vlerësime Mjekësore i Universitetit të Uashingtonit ka parashikuar se numri i të vdekurve nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara në gusht do të arrijë në gati 66 mijë persona, mbi 5 mijë më shumë sesa ishte parashikuar më 9 prill.

Pavarësisht shifrave alarmane, presidenti Donald Trump ka paralajmëruar lehtësim të masave kufizuese për ekonominë dhe i ka përkrahur protestuesit që e kanë kundërshtuar izolimin.

Të ngjashme