Pas shtrenjtimit të energjisë elektrike dhe produkteve esenciale, qytetarët e Kosovës janë duke u përballur edhe me shtrenjtimin e naftës, dhe për pasojë janë shtrenjtuar edhe biletat e autobusëve, raporton Ekonomia Online.
Më të shqetësuarit për këtë shtrenjtim të fundit janë studentët dhe pensionistët, të cilët për Ekonomia Online theksuan se kjo ua rëndon edhe më shumë jetesën.
Pensionisti Aziz Salihu, ish-bokser i njohur, ka thënë se një situatë e tillë e krijuar kohëve të fundit është e padurueshme për popullin.
“Kjo është marri. Po shihet populli ynë sa është në krizë. Po çuditem, një ditë veç kur t’çohen krejt e t’bëjnë çmos. Marre, marre është për ne si Kosovë. Njeriu është i sëmurë dhe nuk ka pare me shku tek mjeku. Po çuditem ky popull si po duron. Një ditë kanë me u çu në këmbë…”, tha Salihu.
Ndërkaq Adelina Çekaj tha se Qeveria duhet ta rregullojë harmonizimin mes pagave të qytetarëve dhe rritjes së çmimeve në mënyrë që të dilet nga kriza.
“Këtë problem është Qeveria ajo që duhet ta rregullojë. Në çoftë se rritja e çmimeve po ndodh kudo, qoftë te produktet bazike ushqimore, atëherë ajo ndikon edhe tek produktet dhe shërbimet e tjera, përfshirë biletat e udhëtimit. Dhe normalisht që i prek kategoritë me asistencë sociale, studentët etj. Nëse veç po rriten çmimet atëherë duhet me u rrit edhe pagat. Duhet me u rritë edhe pensionet dhe duhet me pas mbështetje për krejt kategoritë”, shprehet ajo.
Kurse, Çlirim Latifi, student, tha sa se shtrenjtimi i biletës për të si student është problem shtesë i cili krijon vështirësi.
“Shtrenjtimi i biletave është i paarsyeshëm për shkak se veç jemi në një lloj krize. Tash për neve studentët është hala edhe më problem”.
Ndërsa Muhamet Tahiri mbetet me shpresën se Qeveria e vendit do të gjejë ndonjë zgjidhje për mosshtrenjtimin e biletave.
“Mendoj se biletat janë shtrenjtuar shumë sidomos për studentë dhe pensionistë, por edhe të papunësuarit. Besoj që Qeveria e bënë ndonjë zgjidhje. Dyshoj shumë, por prapë besoj”.
E Ardian Totaj tregon përvojën e tij të udhëtimit gjatë ditës së premte kur veç ka nisur të aplikohet shtrenjtimi.
“Shtrenjtimi i biletës nuk është i arsyeshëm sidomos për studentët duke marrur parasysh rrethanat në të cilën gjendemi. Edhe se e pashë që vendimi është për t’u përgjysmuar unë kam udhëtuar të premten dhe bileta ka qenë e shtrenjtuar”.
Ndërsa Jehona Gogjufi i tha Ekonomia Online se si studente është mjaft e vështirë të shtrenjtohet bileta pasi që ka edhe shpenzime të tjera që duhet mbuluar.
“Është e vështirë se ne jemi studente, shumica jetojnë larg, ka që vijnë prej qyteteve të ndryshme të Kosovës. Ka mundësi që kanë me i pagu dy ose tri bileta. Për ne është shumë vështirë sepse ne na duhen të holla edhe për shpenzime të tjera si studentë. Është zor edhe me punua edhe me i krye studimet e sidomos në këtë kohë të vështirë tash”.