Investimet e huaja direkte në Kosovë viteve të fundit kanë shënuar rënie, më së shumti, për shkak se nuk ka siguri juridike. Ky konstatim u dha nga njohës të ekonomisë në një debat në televizionin publik të Kosovës.
Sipas ish-drejtorit të OEK-ut, Safet Gërxhaliu, Kosova me vendimet e fundit në aspektin ekonomik, nuk ka dhënë mesazh të duhur për investitorët e huaj. Ai tha se që nga shpallja e pavarësisë në Kosovë ka pasur rënie të investimeve të huaja.
“Kjo rënie ndodh sepse Kosova nuk po ofron siguri dhe po merr vendime populiste e arbitrare me të cilat po bën që investitorët të largohen nga Kosova dhe të shkojnë në vendet e rajonit”, theksoi Gërxhaliu.
Ai mori si shembull marrjen e licencës së “Monego”, duke thënë se BQK-ja me vendime të tilla po i bën dëm Kosovës. “Unë nuk kam lexuar askund se në Kosovë kanë ardhur dy brende të sektorit financiar, mirëpo kemi dëgjuar dhe është top lajm që ato po largohen apo po penalizohen”.
“Një sjellje të tillë nuk i bën nder Bankës Qendrore dhe institucioneve të Kosovës. Duhet të kuptohet që ato kompani nuk kanë ardhur në mënyrë të egër në Kosovë, por kanë kaluar në filtra në BQK”, deklaroi Gërxhaliu.
Ai shprehu dyshime se pas këtij veprimi mund të qëndrojnë grupe të caktuara të interesit. “Të sillesh ndaj tyre në këtë mënyrë për mua është një dështim i BKQ-së. Një sjellje e tillë ndaj dy kompanive le hapësirë për lidhje direkte të një grupi të interesit në këtë çështje sesa dëmi që thuhet se mund të kenë bërë këto kompani. Dhe nëse kanë bërë dëm atëherë pse vazhdohet të mblidhen të njëjtat shuma me të njëjta kamata”, tha Gërxhaliu.
Kurse ish-shefi i Doganës së Kosovës, Naim Huruglica, duke shpjeguar rënien e investimeve të huaja tha se vendimi i BQK-së në formën siç është marrë është arbitrar dhe si i tillë sipas tij dërgon mesazh të keq tek investitorët huaj të mundshëm në Kosovë.
“Vendimin e BQK-së për Monego, dhe kompaninë tjetër, nuk e shoh të drejtë. Nëse ti ke një institucion financiar i cili është shtrirë dhe ka punësuar qindra njerëz, veprimi që mund ta marrësh ndaj tyre në praktika ndërkombëtare nuk është që ti të shkosh me një vendim të drejtpërdrejtë dhe ta mbyllësh të nesërmen, dhe kjo pastaj të paraqitet si rast kriminal”.
“Ne nuk mund të japim gjykimin, ndërkohë po gjykohen pa ndodhur rasti. Çka nëse gjyqësori vendos ndryshe, atëherë kush do t’ia kthejë imazhin”, theksoi Huruglica.
Ai tha se jo veç ky rast por me disa vendime që janë marrë pa ndonjë analizë të hollësishme Kosova nuk ka treguar seriozitet, ndërkohë janë bërë interpretime të ndryshme duke pasur edhe cilësime kriminale.
Kjo qasje, sipas tij, është e rrezikshme dhe largon edhe më shumë investitorët e huaj. “Nëse ne dërgojmë këso mesazhesh, ata të cilët i lexojnë mund të thonë se si mund të shkohet për të investuar kur nuk ke siguri juridike”, deklaroi Huruglica.