Botërori i futbollit “Rusia 2018” do të jetë pa të vetmin shqiptar që e ka fituar Kupën e Botës, shkruan sot Koha Ditore.
Mbrojtësi i qendrës Shkodran Mustafi nuk është përfshirë në listën e zgjeruar të Gjermanisë prej 27 lojtarëve, të bërë publike të martën nga përzgjedhësi Joachim Loew. Kjo nënkupton se ai nuk do të jetë në botërorin që nis më 14 qershor.
Kështu Mustafi po e paguan çmimin për formën jo të lartë që e pati gjatë këtij edicioni tek Arsenali. Shumë faktorë shkonin në favor që Mustafi të jetë në botëror. Ai është në moshën më të mirë për futboll – 26-vjeçar. Po luan për klubin më të mirë që ka luajtur në karrierë.
Është pjesë e gjeneratës që para katër vjetësh fitoi titullin e botës dhe tashmë ka përvojë dukshëm më të madhe se në botërorin e vitit 2014. Por Loew, që befasisht ia kishte dhënë rastin e madh katër vjet më parë, nuk besoi në mbrojtësin me prejardhje nga Gostivari për botërorin në Rusi.
Ai ka përzgjedhur katër mbrojtës të Bayernit dhe nga një të Chelseat, Borussia Moenchengladbachut, Koelnit, Hertha Berlinit e Bayer Leverkusenit.