Në një ditë kur Manchester Unitedi është rrahur keq, 4:0, dhe kur Liverpooli ka fituar për t’u kthyer në vendin e parë në Premier League, futbollisti shqiptar Shkodran Mustafi ia ka dalë të jetë prej më të përfolurve në futbollin anglez. Mbrojtësi i qendrës, Mustafi, të dielën bëri gabim të rëndë, ndërsa Arsenali pësoi 3:2 në shtëpi nga Crystal Palace.
Dhe nëse për bazë merren shkrimet e tifozëve nëpër rrjetet sociale e po ashtu qëndrimet e analistëve, atëherë periudha e Mustafit tek Arsenali mund t’i jetë afruar fundit.
Mustafi reagoi keq në tentim për të bllokuar Wilfried Zahan, me synim që portieri i Arsenalit të arrinte i pari te topi. Por Zaha shmangu lehtë mbrojtësin shqiptar dhe shënoi gol për Crystal Palace. Ai moment mund të jetë vendimtar për karrierën e Mustafit tek Arsenali. Ka kohë që ai nuk është i pëlqyer te tifozët e klubit londinez, por të dielën mbrëma dhe të hënën komentet ndaj tij ishim shumë negative dhe me plot fyerje nga më të ndryshmet.
Sipas “express.co.uk”, Mustafi ishte fajtor në të tre golat e pësuar nga Arsenali, veçanërisht në të dytin. Sipas këtij mediumi, Arsenali do të dëgjojë ofertat për mbrojtësin e qendrës kur të hapet afati kalimtar në fund të edicionit aktual.
Ish-ylli i Arsenalit, Martin Keown, ka kritikuar paraqitjen e Mustafit në ndeshjen e së dielës.