Republikanët nuk duan të zemërojnë Donald Trumpin

Prishtinë | 22 Nën 2019 | 09:07 | Nga Ekonomia Online

Vazhdojnë seancat publike në hetimet për procedurën e mundshme të largimit nga posti të presidentit Trump. Po çfarë qëndrimi mbajnë republikanët, a do të ketë një procedurë e tillë pasoja për rizgjedhjen e Donald Trump?

Edhe ai që që nuk është i interesuar shumë për politikën, nuk i shpëton dot këto ditë seancave dëgjimore publike në Uashington.

Në të gjitha mediat, deklaratat e fundit aty janë lajmi i parë, në faqet e gazetave ato zënë vendet e para, dhe dominojnë debatin në median sociale.

Në qendër të kësaj stuhie ndodhet Donald Trump, dhe pyetja, nëse sjellja e presidentit Trump në krizën e Ukrainës e justifikon largimin nga posti.

Nuk është e lehtë këto kohë për simpatizantët e Trumpit dhe anëtarët e partisë së tij republikane. Por deri tani nuk ka dezertuar asnjë deputet republikan, kërkesat e forta për largimin nga posti vijnë tërësisht nga demokratët. Po pse kështu?

Fillimisht duhet thënë, se SHBA aktualisht janë një vend tejet i përçarë. Hendeku mes demokratëve dhe republikanëve është kaq i thellë, e secila palë i mbetet besnike anës së saj dhe ndërrimi i krahut është shumë i pazakontë, sidomos në një çështje të tillë si “impeachment”, procedura për largimin nga posti.

Por pas besnikërisë absolute fshihet më shumë.

Frikë për të ardhmen politike

Një pikë e rëndësishme: “Ata nuk duan ta zemërojnë Trumpin, sepse kanë frikë, që kjo mund të ketë pasoja negative për të ardhmen e tyre politike, elektorati republikan është në masë të madhe kundër procedurës për largimin nga posti”, thotë Sheri Berman politologe në institutin e njohur studimor, Barnard College në Nju Jork. “E shqetësimit për fatin personal i shtohen edhe zgjedhjet e ardhshme presidenciale. [Deputetët republikanë] duan që presidenca të mbetet në dorën republikane dhe kanë frikë, se çdo kritikë i dobëson shanset për rizgjedhjen e tij”.

Vërtet shumë votues republikanë nuk duket se kanë ndërruar mendim për Donald Trumpin pas hetimeve aktuale.

Në një sondazh të radios publike, NPR, 83% e votuesve republikanë, thanë, se pas deklaratave të deritanishme në seancat publike, ata do ta mbështesin edhe më pak një procedurë për largimin nga posti.

“Elektorati tradicional e mbështet Trumpin, pavarësisht se ç’ndodh”, thotë Monika McDermott, studiuese e shkencave politike në Universitetin Fordham në Nju Jork. “Ata besojnë, se sjellja e Trumpit nuk është e duhura, por nuk mendojnë, se është aq e rëndë, sa të justifikojë largimin nga posti”.

Kritikë për procedurën, jo për presidentin

Në seancat dëgjimore deputetët republikanë i minimizojnë të gjitha.

Nëse një ish-mbështetës i Trumpit si Gordon Sondland flet negativisht për presidentin, atëherë kjo është një goditje e fortë për republikanët.

Por ata përqendrohen aty, ku Sondland nuk kujtohet dot për shumë gjëra, apo që kërkesat e kontestueshme erdhën nga avokati Rudy Giuliani dhe jo nga vetë Trump.

Seancat publike janë një cirk i organizuar nga demokratët, ku trajtohet keq presidenti i tyre, e theksojnë rregullisht republikanët.

“Ata shpenzojnë më shumë kohë të kritikojnë procedurën hetimore në vetvete dhe nuk kanë thënë, se e shohin si të drejtë sjelljen e Trumpit” thotë McDermott për DW. “Këtë ata e injorojnë”.

Kundër kritikës ndihmon balsami i Twitterit

Po vetë presidenti? Ai hedh baltë mbi seancat dëgjimore, si kurrë më parë. Berman thotë, se ai sillet me [deputetët republikanë] si trajneri i një ekipi futbolli për të rinjtë”. “Ekipi i tij duhet të sulmojë ku të jetë e mundur”.

Mesazhi i pashprehur i Twitter-it të Trumpit është i qartë ndërkohë: kush del kundër presidentit, duhet të llogarisë me atë që të sulmohet prej tij, dhe të turpërohet para 67 milionë ndjekësve.

Kritika në këtë rast do menduar mirë. Ajo që tingëllon për disa e huaj, është përditshmëri në Uashington, e nuk ka për të ndryshuar kaq shpejt.

Deri më tani Donald Trump ia ka dalë mbanë me këtë sjellje në Twitter.

Edhe gjatë procedurës hetimore Donald Trump ka mbetur “vetja dhe duket se kjo i mjafton përkrahësve të tij”, thotë McDermott.

“Kaq ka mjaftuar që të zgjidhet dhe siç duket, ka për të mjaftuar për t’u zgjedhur edhe njëherë”. /DW

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme